Partia Socialiste nis procedurat për shkarkimin e kreut të shtetit, Ilir Meta. Një mesazh ka ardhur sot në telefonat e deputetëve socialistë, të cilët njoftohen se PS ka nisur procedurat për shkarkimin e Metës, ku edhe i kërkohet që të jenë prezent për të kryer procedurat.
“Të dashur kolegë, bazuar ne disa shkelje të rënda të Kushtetutës sipas parashikimeve të nenit 90, nga ana e Presidentit Ilir Meta përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore, në konsultim me Kryesine e Grupit Parlamentar kemi vendosur te iniciojmë Procedurën e Shkarkimit të Presidentit të Republikës. Për ketë qellim ju lutem siguroni prezencën tuaj pranë Zyrës se Grupit Parlamentar për të firmosur propozimin për shkarkimin e presidentit”, thuhet në mesazh.
Ditën e djeshme ishte kreu i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla premtoi nisjen e procedurave për shkarkimin e Metës, pasi ky i fundit njoftoi se do të largohej nga posti më korrik të vitit 2022. Edhe pse kishte paralajmëruar se do të jepte dorëheqjen nëse maxhoranca do të merrte 71 mandate, por më pas në një konferencë për shtyp pretendoi se zgjedhjet ishin të manipuluara.
Kjo është hera e dytë që maxhoranca do të nisë procedurat për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i presidentit. Gjithçka nisi kur Presidenti Meta nuk pranoi të dekretonte ministrin Gent Cakaj si Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, si dhe Sandër Lleshajn për postin e Ministrisë së Brendshme. Kulmi arriti kur Presidenti nuk pranoi të dekretonte 30 qershorin si datën e zgjedhjeve.
Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, doli në konkluzionin, se kreu i shtetit ka shkelur kushtetutën me dy dekretet e tij, por nuk çojnë domosdoshmërisht në shkarkimin, e tij, por duhet marrë masa për të evituar situata të tilla në të ardhmen. Sipas Komisionit, veprimet e Metës nuk kanë pasur pasoja të rënda për vendin. Pas deklaratës së Komisionit, Meta dhe Ruçi zhvilluan një takim dhe u zotuan se do të vijonin punën së bashku.