Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama dhe nismës për shkarkimin e kreut të shtetit. Në një konferencë për shtyp, Meta e konsideroi deklaratën e Ramës “shashkë” që përpiqet të largojë vëmendjen nga 88 mijë vota të pavlefshme për të cilat premtoi se duhet që të hetohen. Kjo pasi sipas tij, luhen disa mandate të rëndësishme për rezultatin final. Sa për shkarkimin e tij, Meta tha se do të jetë në krye të detyrës deri më 24 korrik të vitit 2022.
PJESË NGA KONFERENCA:
Pyetje: Rama një ditë më parë ka deklaruar se populli dënoi me votë Ilir Metën, cila do të jetë përgjigjia juaj?
Meta: Asnjë përgjigje për shashkat që duan të largojnë vëmendjen nga votat e pavlefshme. Duhet parë si janë bërë të pavlefshme. Nuk ka statistikë në botë që ta justifikojë. Mund të lëvizin shumë mandate këtu. Po të ishte për këto histori do kishte ikur nja 100 herë Ilir Meta. Më 24 korrik 2022 këtu do ta bëjmë konferencën e fundit për shtyp. Nga ky moment të ketë kujdes, asnjë kuti të mos ndërrohet. Ilir Meta nuk ka kandiduar në këto zgjedhje. Përkundrazi kërkoi që vota e presidentit dhe qytetarit më të thjeshtë të jenë të barabarta.
Pyetje: I cilësoni zgjedhjet jodemokratike, do mandatoni Ramën?
Meta: Kërkoj të zbatohet Kodi Zgjedhor pikë për pikë. Deri në shterimin e ankesës më të fundit. Është e rendësishme që të respektohen votat.
Pyetje: Si themelues i LSI si ndjeheni?
Meta: Ilir Meta nuk ka marrë pjesë në këto zgjedhje. Nuk kam bërë thirrje për asnjë kandidat. Në të ardhmen do shikoni sa vota merr Ilir Meta. Jam i kënaqur që pavarësisht nga gjithë ajo trysni dhe ajo dhunë. Është e rëndësishme që 25 prilli, vajti të paktën në aparencë qetësisht dhe pa probleme serioze. 74% e qytetarëve kanë votuar. Çdo votë duhet të rinumërohet sipas Kodit Zgjedhor. Përpjekjet për të hedhur shashka, janë të dëshpëruara.