Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) po përgatitet të autorizojë vaksinën e Covid Pfizer / BioNTech për adoleshentët midis moshës 12 dhe 15 vjeç deri në fillim të javës së ardhshme, raporton New York Times që citon zyrtarë federalë të njohur në agjenci.
Aprovimi është i pritshëm pasi prodhuesit e barnave thanë në mars se vaksina ishte e sigurt, efektive dhe prodhoi përgjigje të fuqishme të antitrupave në grupmoshën 12-15 vjeç në një provë klinike.
FDA u shpreh se po vazhdon rishikimi i autorizimit të vaksinës, në një përgjigje për Reuters, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Drejtoresha e Qendrave të Kontrollit të Sëmundjeve në SHBA (CDC), Rochelle Walensky, tha në prill se vaksina mund të aprovohet nga mesi i muajit maj. Për momentin, vaksina e Pfizer kryhet te personat mbi moshën 16 vjeç.
Moderna dhe Johnson & Johnson po testojnë gjithashtu vaksinat e tyre tek 12-18 vjeçarët.
Pfizer dhe Moderna kanë nisur gjithashtu testimet edhe te fëmijët më të vegjël, nga gjashtë muaj deri në 11 vjeç. Të dy kompanitë kanë thënë se shpresojnë të jenë në gjendje të vaksinojnë fëmijët nën 11 vjeç sa më shpejt, me gjasë në fillim të vitit 2022.