Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi ditën e sotme do të vizitojë Shqipërinë. Mësohet se në orën 9.30, në aeroportin “Nënë Tereza”, do të mbahet një konferencë për mediat e kryeministrit Edi Rama dhe komisionerit për zgjerimin, Olivér Várhelyi.
Varhelyi, ka deklaruar të martën në Shkup se nisja e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në varet nga marrëveshja e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë. I pyetur lidhur me gjasat që Maqedonia e Veriut t’i fillojë negociatat me BE-në në qershor, Varhelyi ka thënë se kjo kërkon pëlqimin e të gjitha vendeve anëtare të unionit. Po ashtu, Komisioneri u shpreh nga Shkupi se BE-ja mund të çelë negociatat vetëm me Shqipërinë, nëse Maqedonia nuk e zgjidh ngërçin me Bullgarinë. Oliver Varhelyi vlerësoi se Tirana i ka plotësuar të gjitha kushtet për konferencën e parë ndërqeveritare.