Regjisori Mevlan Shanaj u shpreh i tronditur për lajmin e ndarjes nga jeta të aktorit Guljelm Radoja.
Në një lidhje telefonike për “News24”, Shanaj tha se Radoja nuk vdiq nga ataku kardiak, por nga pakujdesia, pasi nuk iu dha ndihma e specializuar, edhe pse është një aset kombëtar.
“Është shumë lajm tronditës. Para disa ditësh thashë se besoja që do i jepej ndihma e specializuar. Është figurë kombëtare, është një aset kombëtar me vlera të jashtëzakonshëm. Kush kujton Radojën, e ka parasysh imazhin e njeriut të shkëlqyer.
Ai nuk vdiq nga një atak kardiak, por nga një pakujdesi. Le të flasë çdo mjek në botë, ka mbi një muaj që është në gjendje të rëndë.
Si e lanë Guljelmin për një muaj në këtë gjendje?! Patjetër që duhej të tregohej një ndihmë e specializuar më e madhe. Tani që na iku mund të flasim të gjithë, por e vërteta është se ka ikur një vlerë kombëtare, një njeri që nuk harrohet dot. Vepra e tij është madhore.
Unë njihem shumë herët me të, në vitin 1961 e mbaj mend ishim me shkollat pranë. Ai ishte i spikatur si djalosh, ku këndonte. Ky njeri gazmor, i dhënë i shoqërisë, ky është imazhi im për Guljelmin. Ai ka lëvizur, se ashtu i shkoi jeta, por nuk ka njeri që nuk e mban simbolin e tij si të dashuruar me biçikletën, me sportin, njeri i pashembullt, i jashtëzakonshëm.
Këtë vit jemi çoroditur ne, nuk po dimë kë kemi parë e kë jo. Por, kjo është një goditje, një mik i dytë që ikën nga kjo sëmundje e tmerrshme. Ai vuajti me këtë sëmundje, nuk e meritonte. Djali e vajza i erdhën nga jashtë dhe patëm shpresë. Sikur u krijua një përshtypje që ai do ja hidhte, por ja që s’paska qenë e shkruar”, u shpreh Shanaj.