Melinda Gates, një filantropiste dhe aktiviste për fuqizimin e grave, mund të bëhet gruaja e dytë më e pasur në botë pas divorcit nga Bill Gates, me një pasuri të vlerësuar prej 73 miliardë dollarësh.
Në dokumentet e paraqitura në gjykatë për divorc, Melinda Gates deklaroi se martesa e saj me bashkëthemeluesin multi-miliarder të Microsoft, Bill Gates, një nga burrat më të pasur në planet, është “thyer në mënyrë të pakthyeshme” dhe kërkoi që pasuria e tyre prej 146 miliard dollarësh të ndahet përgjysmë.
Ndarja e pasuria 50 me 50 mund të ndodhë pasi çifti, i cili u martua në vitin 1994, nuk kanë nënshkruar marrëveshje paramartesore dhe sipas ligjit të Washington në të tilla raste pasuria ndahet në mënyrë të barabartë.
Nëse arrin të marrë gjysmën e pasurisë, Melinda French Gates do të renditet gruaja e dytë më e pasur në botë pas Françoise Bettencourt Meyers, pronares 67-vjeçare të L’Oreal, e cila ka një pasuri me vlerë 83 miliard dollar.
Sipas indeksit të miliarderëve Bloomberg, Bill Gates aktualisht renditet si personi i katërt më i pasur në botë, me një pasuri me vlerë rreth 146 miliardë dollarë.
Sidoqoftë, ai do të ishte akoma edhe më i pasur, ndoshta personi më i pasur në botë, nëse s’do të kishte dhënë rreth 40 miliardë dollarë për bamirësi.