Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së shtetit pasi akuzohen se kanë tentuar të kalojnë një sasi të konsiderueshme droge nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Hani i Hotit drejt vendeve të BE-së.
Bëhet me dije se dy personat e arrestuar janë përkatësisht : Përparim Shurdhi 41 vjeç, banues në Lushnjë dhe Arlind Tabaku, 36 vjeç.
Njoftimi i policisë:
Hetimet e përbashkëta mes Policisë së Shtetit dhe Policisë malazeze zbardhën tentativën për trafikimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Hani i Hotit drejt vendeve të BE-së.
Gjatë operacionit, nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, nga Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me Policinë e Fierit, janë kapur dhe vënë në pranga dy prej personave të përfshirë në tentativën për trafikimin e një sasie marijuane, si dhe është shpallur në kërkim një shtetas tjetër si bashkëpunëtor.
Policia e Shtetit, menjëherë pas shkëmbimit të informacioneve paraprake me homologët malazezë, dërgoi në Malin e Zi, një grup specialistësh të Hetimit të Narkotikëve nga Departamenti i Policisë Kriminale.
Pas hetimeve të përbashkëta dhe një pune intensive hetimore të bërë nga strukturat e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, duke u përfshirë disa Drejtori Vendore, u bë e mundur zbardhja e kësaj ngjarjeje, identifikimi dhe lokalizimi i dy prej personave të përfshirë në tentativën për trafikimin e sasisë së marijuanës të kapur në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit (Bozhaj).
Si rezultat i punës së mirorganizuar, nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Shkodër, në bashkëpunim me DVP Fier, u bë kapja dhe ndalimi për veprën penale “Trafikim i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, i shtetasve:
A. T., 36 vjeç dhe P. Sh., 41 vjeç, banues në Lushnjë, si dhe u shpall në kërkim një shtetas tjetër.
Nga veprimet e para rezultoi se kamioni me drejtues shtetasin E. C. ishte ngarkuar në magazinën në pronësi të shtetasit P. Sh., i ndihmuar nga shtetasi A. T. dhe personi i shpallur në kërkim.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar prova të shumta që do të çojnë në dokumentimin dhe zbardhjen e plotë me prova ligjore të kësaj veprimtarie kriminale.
Vijon puna intensive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe homologët, për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim