Një person është ekzekutuar me armë zjarri mbrëmjen e sotme në Tiranë. Viktima është Mehmet Qema 27 vjeç. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “5 Maji” në kryeqytet.
Policia deklaron se 27 vjeçari rreth orës 23:15 në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri pistoletë dhe si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.
ABC mëson se Qema është plagosur gjatë një konflikti mes disa personave.
Shërbimet e policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë bërë rrethimin e zonës dhe po kryejnë kontrolle për kapjen e autorit. Janë shoqëruar në komisariat disa persona të cilët dyshohen se kanë dijeni për ngjarjen.
Gjithashtu policia thotë se grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarje, si dhe mbledhjen e çdo prove të mundshme që do çojë në identifikimin dhe kapjen e autorit.
Kjo është vrasja e dytë brenda pak orëve në vend, pasi në mesditë në Vlorë u ekzekutua Bledar Birçaj .