Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ditën e sotme ka zhvilluar një bashkëbisedimin me maturantë të ndryshëm, rreth organizimit të Maturës Shtetërore 2021 dhe vështirësive që ka sjellë pandemia e COVID-19, mësimi “online” dhe më pas ai i alternuar.
Sipas zonjës Kushi është bërë shumë kujdes përsa i përket konceptimit të testeve duke shmangur temat që janë prekur për herë të parë gjatë momenteve kritike të pandemisë.
Postimi i Evis Kushit:
Në bashkëbisedimin e zhvilluar sot me maturantë të ndryshëm nga kryeqyteti diskutuam rreth procesit të organizimit të Maturës Shtetërore 2021 dhe vështirësive që ka sjellë pandemia e COVID-19, mësimi “online” dhe më pas ai i alternuar.
Si #MASR jemi plotësisht të vetëdijshëm dhe të ndjeshëm ndaj këtij shqetësimi, për ta reflektuar atë në procesin e hartimit, administrimit dhe vlerësimit të testeve të Maturës Shtetërore 2021.
Duke marrë në konsideratë se në programin orientues të testeve përfshihen edhe tema, të cilat janë zhvilluar në kushtet e mësimit “online”, Qendra e Shërbimeve Arsimore ka treguar shumë kujdes në vlerësimin e atyre aftësive që lidhen me njohuri dhe koncepte që nxënësit i kanë marrë në mënyrë të vijueshme ndër vite, duke shmangur temat që janë prekur për herë të parë gjatë momenteve kritike të pandemisë.
Suksese të gjithë maturantëve!