Makineria e ‘Bitcoin’ e cila u gjet në lokalin ku ndodhi vrasja e Mehmet Qemës, ishte ndërtuar para disa muajsh dhe sapo kishte nisur prodhimin e monedhave dixhitale.
Sipas gazetarit Arsen Rista, prokurori i çështjes, Dritan Hushi është duke hetuar tashmë në bashkëpunim me Krimin Ekonomik për laboratorin e ‘bitcoin’, ndërsa në dëshminë e djemve që ishin ulur në tavolinën ku ndodhi vrasja, nuk e kanë pranuar pronësinë e laboratorit të kriptomonedhave, por sipas prokurorisë dyshohet se ata kanë patur dijeni.
Grupi hetimor është përqëndruar në këtë pistë, pasi dyshohet se ‘laboratori i Bitcoin’ mund të ketë lidhje për vrasjen e rëndë. Ky dyshim vjen pasi si fillim, shokët e pranishëm në natën që ndodhi vrasja, janë munduar të fshehin krimin, duke dhënë deklarime të rreme dhe duke thurrur plane për të fshehur provat. Pak më parë, Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar gjykatës të caktojë masën arrest me burg për Majrus Demën me akuzën e vrasjes me dashje dhe armbajties pa leje. Arma e sekuestruar tip pistolete është dërguar në laboratorin e policisë për tu ekzaminuar nëse është përdorur apo jo në krime të tjera.
Makineria u gjet në ambientin e marrë me qira nga 28-vjeçari Marjus Dema, i përshatur në lokal, ku në disa kompjutera ku ishin të instaluara programet software të investimeve përmes kriptomonedhave. Si fillim u dyshua se kjo makineri ishte ne fazat fillestare të testimit të prodhimit të monedhave dixhitale, por në hetimin e prokurorisë rezultoi ndryshe.