Partia Demokratike ka hapur garën për kryetarin e ri të partisë. Në njoftimin e bërë publik sot nga Komisioni Zgjedhor i PD thuhet se afati për të dorëzuar kërkesën është deri në datën 22 maj, ndërsa zgjedhjet do të zhvillohen në 13 qershor.
“Komisioni Zgjedhor i Partisë Demokratike me vendimin nr. 1, datë 17.05.2021 ka vendosur që të caktojë modalitetet për paraqitjen e kandidaturave për Kryetar të Partisë Demokratike”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë që zyrtarisht garën për kreun e PD e ka shpallur Fatbardh Kadilli, një nga kritikët e Lulzim Bashës, i cili ka kërkuar edhe dorëheqjen e tij.
KRITERET
Sipas pikës 4 të nenit 10 të Statutit të PD, zgjedhja apo caktimi në funksione brenda Partisë bëhet bazuar në:
– kohëzgjatjen e anëtarësimit në parti apo shfaqjes si simpatizant i saj;
– kontributit në fushata elektorale;
– kontributit profesional e politik në parti, si dhe në promovimin e vlerave themelore që udhëheqin PDSH-në;
– aktivizimit në jetën politike e publike të vendit;
– mbrojtjes në vazhdimësi të interesave, vlerave dhe programit të PDSH-së; si dhe
– reputacionit në radhët e anëtarësisë dhe/ose shoqërisë në tërësi.
AFATI
Çdo kandidat, që plotëson kriteret statutore të mësipërme ka të drejtë të paraqesë kërkesën për konkurrim pranë Sekretarisë së Komisionit, në selinë qendrore të Partisë Demokratike, duke plotësuar Formularin e miratuar me vendim të Komisionit. Kërkesa për kandidim duhet të paraqitet deri në datën 22 Maj 2021. Formulari gjendet në faqen zyrtare në internet të Partisë Demokratike ose mund të tërhiqet pranë Sekretarisë së Komisionit.
ZGJEDHJET NE 13 QERSHOR
Dy ditë më parë Këshilli Kombëtar i PD-së miratoi me asnjë votë kundër vendimin e Kryesisë për mbajtjen e zgjedhjeve në 13 qershor, si dhe përbërjen e Komisionit të Zgjedhjeve për kryetarin e ri të demokratëve.
Jemin Gjana do të jetë kryetar i Komisionit të Zgjedhjeve, ndërsa anëtarë Albana Vokshi, Belind Këlliçi, Eno Bozdo, Mimoza Hasekiu, Albert Avduli dhe Gjokë Vuksani.
Ndërkohë që Ervin Minarolli dhe Lulzim Omuri do të jenë ndihmës/anëtarë në këtë Komision. Komisioni zgjedhor, sipas miratimit që iu bë në Kryesi, ka edhe një anëtar zëvendësues, Çlirim Gjatën.