Të dielën, më 16 maj, të gjithë konkurrentët e Eurovision 2021 në garë prezantuan disa prej stileve, ngjyrave e dizajneve të modës, me emrat më të njohur të stilistëve në të gjitha vendet europiane.
Po kush ishte e veshura më bukur e kësaj mbrëmjeje? Sondazhi i Wiwibloggs ka shpallur fituese përfaqësuesen shqiptare, Anxhela Peristeri, si e veshura më bukur në këtë event të rëndësishëm të këngës.
Anxhela u komentua si “Lady in red” dhe ishte me të vërtetë një sirenë e kuqe në tapetin e kaltër. Ajo kishte veshur një fustan të kuq hyjnor, i cili jo vetëm i theksonte elegancën, por edhe sensualitetin. Për ta bërë më joshëse veshjen, Valdrin Sahiti, stilisti i veshjes, kishte menduar një të çarë të theksuar në anën e majtë të fustanit duke i theksuar edhe pjesën e mesit.
Veshja e Anxhelas u dizenjua nga stilisti kosovar Valdrin Sahiti, i cili është i njohur edhe sepse shumë prej personazheve kudo në botë, kanë zgjedhur emrin e tij për t’i besuar veshjen e eventeve të mëdha. Ai më parë ka veshur yje si Beyoncé, Bebe Rexha dhe Cardi B, siç raporton edhe Revista Class.
Për herë të dytë në një tapet të kuq, Valdrin Sahiti ka rrëmbyer sërish trofeun si stilisti me veshjen më të bukur. Valdrini gjithashtu dizajnoi veshjen e qilimit të kuq të Elhaida Dani në Eurovision 2015, e cila gjithashtu u votua si e veshura më bukur e atij viti.