Tiranë- Në seancën e sotme plenare, deputeti Vullnet Sinaj foli për ndryshimet e miratuara në ligjin për firmat shfrytëzuese të minierave në Selenicë dhe Rromës, duke shtuar se kjo problematikë që i ka shoqëruar gjithmonë banorët e kësaj zone mori zgjidhje.
Pak ditë më parë në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, deputeti Sinaj propozoi ndryshimin në ligj ku për zotëruesit e lejes minerare, të lidhin aktmarrëveshje me pronarët e tokave që dëmtojnë, ose ndryshe leja të revokohet.
“Si përfaqësues i qarkut Vlorë dhe drejtëpërdrejtë i bashkisë Selenicë, propozova në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese ndryshimet në ligjin për firmat që shfrytëzojnë minierat në Selelnicë dhe Rromës. Ky propozim erdhi si shkak i disa problematikave të përhershme në këto zona ku, sipas ligjit të vjetër firma minerare duhet të merrte lejen e shfrytëzimit të pronës dhe pas kësaj ishte e detyruar të bënte marrëveshje me pronarin e tokës ose me gjykatën ku do të vlerësohej dëmi i tokës. Por ka pasur raste të tilla ku firma të ndryshme, nuk i drejtoheshin gjykatës por shfrytëzonin mineralin në këto prona , pa marrë leje nga Gjykata dhe pa asnjë aktmarrëveshje nga pronari, duke shkaktuar kështu edhe konflikte me pronarët e tokave. Ky problem ka krijuar gjithmonë konflikte, ndaj për të zgjidhur problemin e tillë për banorët e Rromësit dhe Selenicës unë propozova në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese dhe kërkova që leja të pezullohej nëse nuk kishte aktmarrëveshjen ose vendimin e Gjykatës.
Kam kërkuar të bëja ndryshime në nenin 30, mbas diskutimeve në komision u arrit që të kemi një zgjidhje, duke bërë shtesë në nenin 34, i cili parashikon që ministria ka të drejtë të pezullojë lejen minerare në rast se vërtetohet se problematikat e pengojnë ushtrimin e të drejtës minerare. Pezullimi vijon deri në shpronësimin dhe vendimi i formës së prerë që përcakton vlerën e dëmit. Kështu me këtë ndryshim në nenin 34 dhe 35, zgjidhet problemi në Selenicë i pronarëve të tokave, që i kanë brenda lejes së shfrytëzimit dhe në Rromës që i kanë tokat fqinjë firmat kanë ndërhyrë për rrugë në tokat e tyre përveç atyre ekzistuese.”– u shpreh deputeti Sinaj nga foltorja e Kuvendit.
Në fjalën e tij deputeti Sinaj shtoi se kjo zgjidhje do të jetë një e mirë e madhe e banorëve të Selenicës dhe Rromësit, por shtoi gjithashtu se ka ende punë për zgjidhjen e problematikave si: derdhja e mbeturinave minerare në toka bujqësore, transporti i minerareve me kamiona të peshave të rënda që dëmtojnë rrugët, ndaj Sinaj kërkoi që Ministria t’i jap të drejta bashkive ku ndodhen këto miniera dhe të ushtrohet kontroll mbi zbatimin e rregullave të këtyre firmave që shfrytëzojnë minierat.