BBC kërkoi falje pasi përfundoi një hetim në lidhje me metodat mashtruese që u përdorën për të marrë një intervistë ekskluzive të Lady Diana-s së ndjerë.
Intervista e vitit 1995 në programin Panorama të BBC-së u krye nga ish-gazetari i BBC-së Martin Bashir, i cili përdori deklarata false bankare për të siguruar një intervistë me princeshën, sipas një raporti nga Lord Dyson, një ish-gjykatës i vjetër.
Sipas raportit, Bashir siguroi një deklaratë false bankare që tregonte pagesa nga një firmë konsulence dhe News International në llogarinë bankare të Alan Waller, një ish-punonjës i vëllait të Diana-s, Charles Spencer.
Ai ia tregoi këto deklarata në shtator të vitit 1995 dhe pastaj disa ditë më vonë i tregoi atij më shumë deklarata bankare që shfaqnin pagesa në llogaritë e sekretarëve privatë të Diana-s dhe princit Charles. Dyson shkruan në raport “ka të ngjarë që këto deklarata të jenë krijuar nga Bashir dhe të përmbajnë informacione që ai i sajoi”.
Duke përdorur këto deklarata bankare, Bashir qe në gjendje të bindte Spencer të organizonte një takim me Lady Diana-n dhe pas kësaj, e bindi të jepte intervistën e famshme. Bashir më pas gënjeu drejtuesit e BBC-së në lidhje me situatën. Raporti gjithashtu kritikon hetimin e mëvonshëm të BBC për çështjen, duke e cilësuar atë “me të meta dhe mjerisht joefektive”.
Drejtori i Përgjithshëm i BBC, Tim Davie, tha: “Unë do të doja të falënderoja Lord Dyson. Raporti i tij për rrethanat rreth intervistës së vitit 1995 është i plotë dhe gjithëpërfshirës. BBC pranon përfundimet e Lord Dyson në tërësi.”
“Megjithëse raporti thotë se Diana, Princesha e Uellsit, ishte dakord për idenë e një interviste me BBC, është e qartë se procesi për sigurimin e intervistës ishte shumë larg asaj që shikuesit kanë të drejtë të presin. Na vjen shumë keq për këtë. Lord Dyson ka identifikuar dështime të qarta.” – shtoi ai.
Në vijim të deklatarës, Drejtori i Përgjithshëm tha se sot “BBC ka procedura më të mira”.
“Ndërkohë BBC nuk mund ta kthej kohën pas një çerek shekulli, ne mund të kërkojmë falje, në mënyrë të plotë dhe të pakushtëzuar.”
Martin Bashir dha dorëheqjen nga roli i tij si redaktor i fesë në fillim të këtij muaji për shkak të çështjeve shëndetësore, të paktën kështu u tha.