Vetëm një ditë më parë, Landi Hysi dhe partnerja e tij, Eva Ago, janë bërë prindër për herë të parë. Asgjë më herët këngëtari i ‘West Side Family‘ nuk kishte zbuluar për publikun, por një lajm kaq i bukur s’mund të mbahej vetëm për vete.
24 orë pas statusit të ri, si shumë baballarë të rinj, por pak të guximshëm publikisht, Landi ka përjetuar ndjesi të përziera; lumturi, frikë, dyshime… dhe, gjithashtu, edhe një lloj habie se si i porsaardhuri në jetë, mori vëmendje kaq të madhe, ende pa u “prezantuar” me rrjetin.
Pas mijëra mesazheve që kanë shkuar në adresë të Landit, këngëtari shkruan se nuk mundet t’i falënderojë të gjithë, por ndihet mirënjohës ndaj të gjithëve.
Lukas
Letër me konstatime, fakte, opinione, dëshira, ndjenja…
26 maj, 05:54, 2021
Tiranë, Shqipëri (Albania), Europë, Botë, Gjithësi…
Mjaft t’hapësh Google dhe aty do t’gjesh informacion mbi shqiptimin, gjininë, domethënien, prejardhjen, faktin se sa popullor është emri yt.
Fakti është që ti erdhe në një mëngjes dhe ditë të bukur dhe kjo vërteton disi domethënien e emrit, por edhe nata ama, një zonjë qokaxhie, nuk mbeti më pas me eklipsin e Hënës së Përgjakur atë datë të 26 majit, ku për rastësi, edhe rastet nga Covid-19 për herë të parë pas 1 viti pandemie rraskapitëse ekonomike, psikologjike e shoqërore, ishin zero. Pra, më rrofshin fjalët e bukura, apo përshkrimi individual, kur ajo ditë, në vija të përgjithshme e natyralisht, qe pikturuar nga lart-poshtë përsosmërisht këtu në këtë Botë rrëmudhë (siç thonë gjirokastritët).
Të pashë dhe sytë “më djersitën”. E çuditshme se pse, pasi vapa filloi më vonë, por ti e paske edhe këtë efekt. I dehur, por pa konsumuar asnjë gram alkool.
Ritmeve të mëpasme të tangos jo argjentinase; – i ngjan mami Evës apo i ngjan babi Landit, nuk iu bashkëngjita, ca për ego e ca për realitet, por ajo që vlen për mua, më i rëndësishëm për pamjen apo “fasadën” e jashtme, është fakti se si do jesh ti në shpirt e në mendje sepse në fakt triniteti trup-mendje-shpirt quhet i plotë kur të treja janë në harmoni e ekuilibër. Për më shumë, e sigurisht që gjatë rrugës me të përpjeta e tatëpjeta, do të të tregoj edhe këngën e Dr. Florit #Beso. BOTË E ÇORODITUR!
Ej, po si ka mundësi, or burrë! Habitem se si kaq i vogël pa kënduar e veç me lindjen tënde, shkaktove kaq: “Zhurmë, zhurmë, shumë shumë zhurmë!”.
Shumë shkruajtën për ty e u interesuan që të merrnin nga unë përshtypjet e para që natyrshëm nuk munda t’i jap. Nuk do të të gënjej. Nuk munda t’u përgjigjem të gjitha komenteve, por si gjithmonë, me më shumë vepra sesa fjalë dhe me shumë përulësi, mirënjohës të gjithëve.