Një 32-vjeçar shqiptar u ekzekutua këtë të diel në qendër të Athinës. Aristidh Papa qëllua teksa pinte kafe në një lokal. Autori i është afruar dhe e ka qëlluar me të paktën 8 plumba, disa prej të cilëve e kanë kapur në kokë.
Mediat greke kanë publikuar pamjet, ku nëna e shqiptarit shihet në vendin e krimit, teksa qan dhe vajton me zë.
“Ari im! Të hëngrën shqiptarët. Ari im! Je në shtëpi? Pse dashuria ime? Pse djali im, pse? Ari im! Djali im i bukur! Eja ne shtepi djali im! Ku eshte policia? Ku jane vrasesit qe me vrane djalin? I njohin por nuk duan ti kapin. Çfarë të bënë o bir! O dashuri e nënës…!” – thotë ajo ndër të tjera.
Mediat greke thonë se autori është larguar qetësisht pas vrasjes. Ai ka marrë një taksi dhe ka humbur gjurmët.
Aristidh Papa rezulton një person me precedentë penalë dhe që ishte dënuar më herët për trafik droge, vrasje në tentativë dhe pastrim parash.
Të njëjtat burime shkruajnë se ai lëvizte me jelek antiplumb dhe u kishte shpëtuar 3 atentateve në të kaluarën.