Dario Gora është vetëm 11-vjeç dhe ka një talent shumë të madh ndaj gjeografisë, edhe pse nuk ka filluar ende ta mësojë këtë lëndë në shkollë. Ai është nxënës në shkollën “Kongresi i Lushnjes”, por dijet lidhur me gjeografinë i ka mësuar jashtë orarit mësimor, në kohën e lirë.
I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, Dario ka treguar se njeh të gjithë flamujt “në maj të gishtave”, globin dhe monedhat. Ndër të tjera, vogëlushi ka zbuluar si nisi ky pasion i tij.
“Kur isha në moshë të vogël, para se të nisja klasën e parë, babai im më thoshte disa shtete kryesore dhe unë ja gjeja kryeqytetet e tyre. Por më vonë kur u rrita, para se të futesha në klasë të dytë, më lindi kureshtja që të mësoja kryeqytete të tjera. Kështu për këtë arsye mami im më bleu një hartë që kishte çdo të dhënë për shtetet, flamujt e tyre, ku ndodheshin në hartë, jepeshin dhe kryeqytetet me legjenda. Kështu që unë pak nga pak i mësoja çdo natë kur kisha kohë të lirë”, u shpreh 11-vjeçari.