Inspektori i Lartë i Drejtësi Artur Metani i ka dërguar KLGJ-së kërkesën për pezullimin e menjëhershëm dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Elbasanit, Enkeleda Kapedanit për shkak të videove të publikuar në “Tik Tok”.
Kërkesa për shkarkim argumentohet nga ILD me faktin se gjyqtarja ka diskredituar figurën e gjyqtarit. Tashmë pritet që të mblidhet KLGJ për të vendosur mbi raportin e ILD ku sipas të gjitha gjasave gjyqtarja do të shkarkohet.
Në videot që bënë xhiron e rrjeteve sociale në dy ditët e fundit gjyqtarja Kapedani mes luksit shfaqet ndërsa ecën me ritëm sfilate nëpër korridoret e gjykatës si dhe në mjediset e zyrës së saj. Madje në sfond të njërës prej videove dëgjohet melodia e një kënge shqiptare të titulluar “Mafia”.
Gjyqtarja Kapedani është shprehur për mediat se është ndjerë keq nga publikimi i videove, i bërë sipas saj, me qëllimin për t’i prishur imazhin. Por ILD brenda pak orësh, pas inspektimit që iu bë pasditen e djeshme zyrës së saj vendosi që të kërkonte shkarkimin nga detyra.