Organizata Botërore e Shëndetësisë ka miratuar sot për përdorim emergjent vaksinën kundër koronavirusit të kompanisë Sinovac, CoronaVac, duke garantuar që plotëson standartet ndërkombëtare të sigurisë, efikasitetit dhe prodhimit.
CoronaVac është një nga vaksinat që po përdoret gjerësisht edhe në vendin tonë.
“Bota ka shumë nevojë për vaksina të shumta të Covid-19 për të adresuar pabarazinë e madhe të aksesit në të gjithë botën,” tha në një deklaratë Dr Mariângela Simão nga OBSH.
“Ne i nxisim prodhuesit të marrin pjesë në mekanizmin COVAX, të ndajnë njohuritë dhe të dhënat e tyre dhe të kontribuojnë në vënien nën kontroll të pandemisë”, tha Simão.
Vendimi i Përdorimit Emergjent të OBSH-së (EUL) është një parakusht për përfshirjen e vaksinës në mekanizmin COVAX dhe prokurimin ndërkombëtar. Ai gjithashtu lejon vendet të përshpejtojnë miratimin e tyre rregullator për të importuar dhe administruar vaksina COVID-19.
Në rastin e vaksinës -CoronaVac, vlerësimi i OBSH-së përfshiu inspektime në terren të objektit të prodhimit.
Grupi Strategjik Këshillimor i Ekspertëve të OBSH-së për imunizimin (SAGE) gjithashtu ka përfunduar rishikimin e vaksinës. Mbi bazën e provave të disponueshme, OBSH rekomandon vaksinën për përdorim për të rriturit mbi 18 vjeç, me dy doza me një hapësirë kohore dy deri në katër javë.
Rezultatet e testeve të CoronaVac treguan se vaksina është efektive 51 për qind në parandalimin e virusit.
OBSH tashmë ka miratuar për përdorim emergjent vaksinat Moderna, Pfizer/BioNtech, Johnson & Johnson, AstraZeneca dhe Sinopharm.
Marrë nga Monitor.al