Vrasja e Kudrejt Saliajt nga ish-vjehrri i tij Mexhit Picari duket se ka ardhur pas një historie të gjatë konfliktesh në familje, ku palët akuzonin njëri-tjetrin për tradhëti bashkëshortore. Çifti kishte tre fëmijë dhe sëfundmi, Saliaj kishte kërkuar divorcin nga bashkëshortja e tij Dhurata.
Bëhet me dije se Dhurata Saliaj ka qenë prezente në lokal në momentin që babai vrau me pesë plumba ish-bashkëshortin e saj. Pas kapjes nga policia, Mexhit Picari deklaroi se kishte vepruar për të mbrojtur nderin e vajzës, të cilën sipas tij po e akuzonin për tradhti bashkëshortore pa të drejtë.
Dinamika e ngjarjes
Ngjarja ndodhi 10 minuta para seancës gjyqësore për ndarjen e çiftit. Në momentin e ngjarjes, familja Picari, specifikisht Mexhiti dhe Dhurata kanë qenë ulur në lokal, ndërsa në një karrige tjetër disa metra më tej ishin ulur Kudret Saliaj me avokatin e tij Adriatik Cama. Në një moment, pa shkëmbyer asnjë fjalë, Picari është ngritur nga tavolina dhe duke nxjerrë pistoletën, ndërsa ka qëlluar 8 herë në drejtim të tij. 5 nga plumbat kanë goditur Saliajn dhe 1 tjetër avokatin e tij, Adriatik Camën.
Pasi vrau Saliajn, Mexhit Picari është larguar në këmbë me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa pas tij u largua edhe Dhurata, ish-bashkëshortja e viktimës. Policia ka shkuar menjëherë për kontroll në shtëpinë e Dhuratës ku edhe ka gjetur aty autorin e vrasjes.
Në dëshminë e parë para policëve ai ka theksuar se kishte vepruar për të mbrojtur nderin e vajzës, të cilën sipas tij po e akuzonin pa asnjë provë për tradhti bashkëshortore.