Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim, dhe prokurori i përgjithshëm Olsian Çela u takuan sot në qytetin e Pogradecit. Pas përfunduan takimin e tyre, të dy dhanë nga një porononcim për mdiat në lidhje me temat që kishin diskutuar.
Kryeprokurori Olsian Çela, deklaroi se Prokuroria ka mbështetjen e Ambasadës Amerikane, në punën e saj dhe se prokurorët e gjyqtarët duhet të mbështesin fuqishëm viktimat e dhunës.
“Takimi sot ishte i fokusuar në rolin që kanë koordinatorët e viktimave në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Duhet të dini që ky rol vitet e fundit është theksuar. Kemi marrë mbështetje nga misioni i OPSAT, nga ambasada e SHBA. Takimi u fokusua pikërisht në mbështetjen që duhet t’ju japim forcimin e tyre të mëtejshëm. Duke pasur në fokus situatën e krimeve në shoqërinë shqiptare, ndaj femrave, ndaj të miturve, ndaj më të dobtëve. Ky takim shërben për të rritur mbështetjen tek operatorët e sistemit të drejtësisë. Prokurorët e gjyqtarët duhet të jenë në mbështetje të viktimave të dhunës. Ne në këtë punë, do kemi mbështetje edhe nga ambasada amerikane,”- tha Çela.
Edhe ambasadorja Kim përsëriti të njëjtat gjëra, ndërsa fokusin e vuri tek trajtimi i viktimave.
“Sikurse e tha Olsian Çela jemi këtu për tu takuar me tre nga koordinatorët e viktimave, Korçë, Elbasan dhe Pogradec. Koordinatorët luajnë një rol të rëndësishëm për reformën në drejtësi. Donim të shihnim si po shkonin dhe çfarë mund të bëjmë për të ofruar më shumë mbështetje. Prokurori dhe unë folëm për të vazhduarit me ndjekjen e krimeve zgjedhore. Në rastet kur ka krime viktimat duhet të marrin atë që u përket dhe shkelësit duhet të dënohen. Folëm edhe për rëndësinë që ka ruajtja e këtij roli,”- tha Yuri Kim.
E pyetur në lidhje me javën e ‘nxehtë’ të politikës që sapo është futur dhe për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, Kim nuk dha asnjë koment dhe u shmang.
“Do të doja që sot të fokusohesha vetëm te drejtësia dhe koordinatorët e viktimave,”- përfundoi kim.