Zhvillohet këtë të enjte në Shqipëri, samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor. Në Tiranë do të marrë pjesë edhe kryeministri kosovar, Albin Kurti. Lajmi u konfirmua nga mediat kosovare pas takimit që Kurti pati me ambasadorin e Shqipërisë Qemal Minxhozi, i cili e njohu mbi programin dhe përgatitjet e samitit. Kosova në takimet e mëparshme nuk ka dashur të marrë pjesë.
Ky samiti do të drejtohet nga Kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Gjashtë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi do të diskutojnë për projektet në rajon të përfituara në kuadër të Procesit të Berlinit.
Vitin e kaluar, takimi i 6 liderëve te Ballkanit Perëndimor u zhvillua online, por u njoh si Samiti i Sofjes.