Për herë të parë parlamenti do të miratojë një ligj për presidentin e republikës, duke synuar të zgjidhe çdo konflikt të kryetarit të shtetit me mazhorancën parlamentare.
Konflikti i parë që ligji synon të parandalojë është ai për emërimin e kryeministrit të ri pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Nëse deri më sot presidenti ka thirrur vetëm kryetarin e partisë më të madhe te mazhorancës dhe e ka dekretuar kryeministër me një procedurë që zgjat vetëm pak minuta; me këtë ligj kryetari i shtetit detyrohet të bëjë konsultime me të gjitha partitë parlamentare.
“Presidenti i Republikës bën emërimin nismëtar të Kryeministrit, pas konsultimit me kryetarët ose përfaqësuesit e autorizuar të partive që kanë mandate në Kuvend. Në rast se përfaqësuesit e partive politike nuk i japin mbështetjen e mjaftueshme asnjë kandidati të mundshëm, atëherë Presidenti i Republikës emëron Kryeministër dhe dërgon për miratim kandidatin e partisë që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvend”
E duke qenë se disa herë presidenti Meta ka paralajmëruar se nuk do të dekretojë kryeministrin, ligji ka parashikuar një zgjidhje edhe për këtë situatë.
“Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin nismëtar të Kryeministrit, atëherë Kryeministri zgjidhet drejtpërdrejt nga Kuvendi. Në këtë rast zbatohen gjegjësisht procedurat që rregullorja parashikon për zgjedhjen e Kryeministrit me mocion mosbesimi.”
Ligji parashikon që parlamenti merr kompetencat e presidentit edhe për rastet kur ai nuk emëron, apo shkarkon ministrat; siç ishte rasti i emërimit të Gent Cakajt, apo shkarkimit të Ditmiri Bushatit.
“Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin e ministrit të propozuar nga Kryeministri brenda 7 ditëve nga marrja e propozimit, atëherë Kryeministri ia paraqet propozimin Kuvendit për miratim, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim.”
Mazhoranca nuk ka lënë jashtë vëmendjes as konfliktin me presidentin për datën e zgjedhjeve lokale në 2019; duke detajuar rastet kur kryetari i shtetit mund të shtyjë zgjedhjet e duke vënë si detyrim në ligj se vendimi nuk mund të merret pa dakordësinë e mazhorancës parlamentare.
Nëse presidenti nuk respekton detyrimet ligjore, kompetenca i kalon sërish parlamentit.
“Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve në afatin e përcaktuar nga legjislacioni zgjedhor ose e nxjerr atë në kundërshtim me procedurën sipas këtij neni, atëherë data e zgjedhjeve caktohet nga Kuvendi.”
Duke iu referuar deklaratave të shpeshta të presidentit Meta për shpërndarjen e parlamentit, ligji sanksionon se ky vendim faktikisht varet nga kryeministri pasi kreu i shtetit ka të drejtë të nxjerrë një dekret të tillë vetëm kur Kuvendi nuk zgjedh dot kryeministrin, ose kur shefi i qeverisë humbet mocionin e besimit.
Ajo qe bie në sy në këtë ligj është koncepti i kundërfirmës së dekreteve presidenciale. Kundërfirma u tentua të futej në kushtetutë në vitin 2008 nga kryeministri i asaj kohe Sali Berisha, por vetë PD u tërhoq për shkak të debateve të forta në skenën politike. Sot ligji parashikon se pjesa kryesore e dekreteve do të kundërfirmosen.
“Dekreti që kërkon kundërfirmim nënshkruhet nga Presidenti i Republikës dhe i dërgohet për kundërfirmë, sipas rastit kryeministrit, ministrit apo titullarit të institucionit sipas këtij ligji.”
Mazhoranca është e vendosur të mos lejoje përsëritjen e rastit të Arta Vorpsit, të cilën presidenti nuk e thirri për betim, pasi nuk e njohu si anëtare të gjykatës kushtetuese. Edhe pse komisioni i Venecias sugjeroi që mekanizmi zhbllokues për ceremoninë e betimit duhet vendosur në kushtetute, mazhoranca ka vendosur ta përfshijë atë në ligj.
“Në rast se ceremonia e betimit nuk organizohet nga Presidenti i Republikës deri në përfundim të afatit, atëherë betimi kryhet përpara Kuvendit, për të gjithë funksionarët apo gjyqtarët që zgjidhen apo miratohen prej tij, kurse për të tjerët përpara organit propozues.”
Grupi i ekspertëve ka detajuar rregulla që zgjidhin edhe çështje si ajo për dhënien e shtetësisë, apo dhënien e dekoratave, botimi i ligjeve në fletoren zyrtare e deri tek përcaktimi, kush cilësohet shkelje e rëndë e kushtetutës për të cilën presidenti i republikës shkarkohet.