Kastrioti është njëra ndër skuadrat që së fundmi ka pasur disa largime, por në Krujë po punohet edhe për merkaton në hyrje. Aktualisht, kanë nisur negociatat e para me disa lojtarë, por ai që bie në sy është një ish, Edison Ndreca, që aktualisht është lojtar i lirë. Nga burime të besueshme pranë klubit, mësohet se drejtuesit i kanë bërë ofertë kurbinasin, ndërsa mbetet të shihet zhvillimet që do të sjellin ditët në vijim.
Në rast të afrimit të mundshëm të Ndrecës, krutanët do të bëheshin “blindë” në krahun e majtë të mesfushës, pasi mbrojtja mbetet një repart i kompletuar, meqenëse Prodani dhe Rami janë aktualisht pjesë e ekipit. Gjithsesi, negociatat janë në fazën fillestare dhe mbetet të shihen zhvillimet që do të sjellin ditët në vijim.
Ndreca ka zhvilluar tri sezone mjaft të mira në Superiore së fundmi, ku dy sezonet e fundit ka shkëlqyer me Bylisin, duke shënuar madje edhe 9 gola. Në sezonin 2018-2019 Ndreca ka qenë pjesë e Kastriotit, ku dhe në atë sezon ka shkëlqyer. Krahas tij, janë edhe disa lojtarë të tjerë që përfliten si afrime të mundshme, por deri në këto momente nuk ka emra konkretë. Sa i takon pjesës së lojtarëve që mbyllën sezonin, aktualisht janë tre të larguar.
Rezi, Bardhi dhe Zhivanaj, ndërsa pa kontrata është dhe një pjesë tjetër e skuadrës, por që në ditët në vijim, pritet që të kenë takime me drejtuesit për të vendosur përfundimisht nëse do të qëndrojnë te Kastrioti dhe një sezon apo do të jenë pjesë e një ekipi tjetër. Krutanët kanë kohën e mjaftueshme për të kryer lëvizjet e duhura në skuadër pasi, përgatitjet për sezonin e ri pritet që të nisin në fillim të muajit të ardhshëm.