Ditën e sotme LSI ka depozituar në Prokurorinë e Tiranës, një kallëzim për çështjen e truallit të shkollës ‘Sami Frashëri’.
Ish-deputetja e LSI-së, Floida Kërpaçi bën të ditur se kallëzimi lidhet me faktin se me kartelat e pronësisë së truallit të shkollës ‘Sami Frashëri’ është ndërhyrë disa herë duke ndryshuar pronësinë nga shteti në listë bashkëpronarësh dhe anasjelltas.
“Ne jemi këtu për t’i kërkuar Prokurorisë së Tiranës të zbulojë kush ka ndërhyrë në kartelën e pronësisë të kësaj prone publike dhe cili ka qenë synimi i personave që kanë ndërhyrë”, thotë Kërpaçi.
Deklarata Floida Kërpaçit në Prokurorinë e Tiranës:
Kemi ardhur te Prokuroria e Tiranës ku sapo depozituam një kallëzim për çështjen e truallit të shkollës ‘Sami Frashëri’. Dokumentat që ne disponojmë vërtetojnë akuzën e bërë disa ditë më parë nga Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.
Dokumentat që ne kemi tregojnë që me kartelat e pronësisë së truallit të shkollës ‘Sami Frashëri’ është ndërhyrë disa herë duke ndryshuar pronësinë nga shteti në listë bashkëpronarësh dhe anasjelltas.
Ne jemi këtu për t’i kërkuar Prokurorisë së Tiranës të zbulojë kush ka ndërhyrë në kartelën e pronësisë të kësaj prone publike dhe cili ka qenë synimi i personave që kanë ndërhyrë.
Të jetë e qartë për të gjithë që Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të ndalet së thëni të vërtetën.
Siç shpëtuam shkollën ‘Sami Frashëri’ dhe do t’i shkojmë deri në fund që të mos lejojmë tjetërsimin e kësaj prone, po ashtu do të jemi në krah të qytetarëve të Kombinatit, të Durrësit ,të Shijakut e të gjithë Shqipërisë për të mos lejuar që qytetarët të jenë viktima të qeverisë së fasadave.