Pas fitores së garës për një mandat të tretë në krye të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka publikuar një mesazh për mbështetësit.
“Në fund të kësaj gare ne nuk gëzojmë për fitoren e një kandidati apo zgjedhjen e një kryetari të ri, por, të gjithë bashkë, ne kremtojmë vlerat që na bashkojnë, vlerat mbi të cilat ngrihet kjo familje e madhe politike. Ato të garës, të lirisë dhe të meritokracisë.
Që sigurisht ne duhet dhe do t’i përsosim edhe më shumë në muajt në vijim. Edhe njëherë faleminderit nga zemra për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm. Po ashtu falenderoj me mirënjohje për mbarëvajtjen e këtij procesi komisionerët, vëzhguesit dhe numëruesit. Përkushtimi juaj meriton vetëm respekt!” – tha Basha që u ka dërguar një mesazh edhe rivalëve të tij në këtë garë.
“Mirënjohja ime shkon edhe për 3 kandidatët e tjerë, të cilët e bënë këtë garë të vërtetë , sfiduese dhe dinamike. Për secilin prej tyre kam një mesazh: Ne kemi mendime të ndryshme por parime të njëjta, prandaj jam i bindur se përtej diferencave, nga sot energjitë dhe përpjekjet tona do të shkojnë në drejtim të kundërshtarit të vetëm të Partisë Demokratike, dhe të shumicës dërmuese të shqiptarëve, regjimit Rama-Doshi” – tha Basha.