Gjykata Administrative rrëzon kërkesën për dëmshpërblim të familjarëve të ish komisar Artan Cuku. Familjarët kishin kërkuar nga Ministria e Brendshme si dëmshpërblim shumën mbi 1 milion euro për humbjen e familjarit të tyre ish efektiv policie i cili ishte kërcënuar dhe më para se të vritej dhe shteti nuk kishte marrë masa. Por kërkesa e tyre u rrëzua nga gjykata administrative me argumentin se nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë të shtetit me vrasjen e tij. Pak muaj më parë, familjarët e të ndjerit ngritën një padi në Gjykatën Administrative, duke kërkuar dëmshpërblim nga Drejtoria e Policisë dhe Ministria e Brendshme.
Artan Cuku, “Dëshmor i Atdheut” u vra duke hyrë në shtëpinë e tij më 8 Prill 2017. Nga hetimet e prokurorisë rezultoi se shkak i vrasjes së tij ishte hakmarrja për shkak të detyrës në kohen që ka qenë drejtues në Vlorë. Deri tani i vetmi që është pas hekurave për vrasjen është ekzekutori Mikel Shallari, i dënuar me 10 vite burg, ndërkohë që bashkëpunëtori dhe mbi të gjitha porositësi ende nuk është vendosur përpara drejtësisë. Drejtësia shqiptare ngriti akuzën si porositës kundër Bledar Jambellit, i cili u kap në Greqi, por më pas u la i lirë nga gjykata e vendit fqinj.
Bledar Jambelli, i njohur ndryshe me emrin Rikardo Muho, u arrestua në dhjetor të vitit 2018 në Greqi, pas vrasjes së kryekomisarit Artan Cukut. Ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe gjykata e i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë. Por gjykata e Lartë greke e liroi Bledar Jambellin. Drejtësisë i ka shpëtuar edhe Kristaq Leci. Mikel Shallari mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe rrëfeu porositësin. Në baze të hetimeve rezultoi se 38-vjeçari Jambelli e urdhëroi vrasjen e kryekomisarit për shkak se ai e kishte arrestuar në kohën kur mbante detyrën e Drejtorit të Policisë së Vlorës.