Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca ka reaguar pas ankimimit të bërë nga ana e Vëzhguesve Ndërkombëtar të ONM-së në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për kreun e prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj.
Soreca shkruan në Twitter se BE e mbështet plotësisht rekomandimin e ONM-së për riçeljen e hetimeve lidhur me prokuroren e cila u konfirmua në shkallën e parë të vettingut nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Ai nxit Kolegjin e Posaçëm të Apelimit që të shqyrtojë me integritet të gjitha çështjet që ONM ka nënvizuar si problematika në lidhje me prokuroren Elizabeta Imeraj.
“Ne mbështesim plotësisht rekomandimin e Vëzhguesve Ndërkombëtar për apelin. Ne presim Kolegjin e Posaçëm të Apelimit që të rihetojë mbi këtë çështje me integritet dhe pavarësi për të siguruar që çdo problem që është evidentuar në rekomandim të merret në shqyrtim” – shkruan Soreca.
Më herët për këtë çështje ka reaguar dhe ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim e cila u shpreh se duhet parë me kujdes se çfarë do të ndodhë me këtë çështje pas apelimit. Ajo shtoi se duhet vëzhguar nëse Imeraj do t’i përgjigjet me fakte ankimimit të ONM-së apo do të sulmojë procesin e vettingut.
Çfarë ndodhi dje?
ONM ka ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të prokurores Elisabeta Imeraj. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, për të tria kriteret e rivlerësimit.
Në njoftim thuhet se Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar, në të njëjtën kohë, vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
“Në datën 1.4.2021, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj, me detyrë prokurore/Drejtuese e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Vendimi nr. 363, datë 1.4.2021, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, iu njoftua Komisionerëve Publikë sot, më datë 21.6.2021.
Po sot, më datë 21.6.2021, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, për të tria kriteret e rivlerësimit.
Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar, në të njëjtën kohë, vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Rekomandimi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është publikuar në faqen zyrtare të Institucionit të Komisionerëve Publikë: http://ikp.al/rekomandime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftim