Një çift pushuesish me fëmijë të vogël janë gjendur në një situatë të papëlqyeshme pasi kishin mbaruar disa ditë pushimi në plazhin e Livadhit në Himarë.
Sipas “News 24” çifti kishte prenotuar për tre ditë një hotel në këtë zonë, të premte, të shtunë dhe të diel, por mesa duket janë ndierë të pakënaqur nga kushtet e ofruara dhe kanë dashur të largohet një ditë më parë nga sa kishin prenotuar.
Mësohet se ata kanë kryer pagesën për dy netët e fjetjes, por pronarja e hotelit u ka kërkuar pagesën edhe për ditën e dielë, që e kishin prenotuar por nuk do të qendronin.
Në këtë video që është publikuar në rrjetet sociale, shihet një grua e cila e ka ndjekur çiftin me makinë deri në rrugën kryesore në Himarë për t’i penguar të largohen.
Pronarja e hotelit ka kërkuar ndihmë edhe nga një person tjetër që duket në video teksa tenton të ndalojë makinën të largohet.
Ajo ka pretenduar se çifti i ka shkaktuar dëme në dhomën ku kanë qëndruar dhe ka kërkuar të paguhet.
Në video dëgjohet edhe e qara e vajzës së vogël dhe zëri i gruas që tenton të qetësojë bashkëshortin duke i thënë “të lutëm të lutem se ai është zverdhur i ka ikur gjaku kupton, të lutem”.
Mësohet se në përfundim, çifti ka bërë denoncim në policinë e Sarandës.