Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e përfaqësueses së qeverisë Edlira Kokona lidhur me pezullimin e çështjes ku po shqyrtohet kushtetutshmëria e Zgjedhjeve lokale të vitit 2019.
Vendimi u mor pasi Gjykatës nuk i janë vënë në dispozicion dokumentet e nevojshme për ndryshimet që janë bërë në statutin që kanë Shoqatat e Bashkisë.
Gjykata i ka dhënë vetëm një orë kohë përfaqësues së qeverisë që të marrë në dispozicion dhe të shqyrtojë dokumentet në lidhje me statutin e shoqatave të bashkive të vendit.
Gjithashtu është rrëzuar edhe kërkesa e bërë për pjesëmarrjen në seancë të Pjerin Ndreut si kryetar i ri i Shoqatave të Bashkive, pasi vendosja e tij në krye të këtij organi nuk është çertefikuar nga gjykata.
Pritet që gjatë ditës së sotme të ketë vetëm seancë të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me shqyrtimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjeve lokale të mbajtura në 30 qershor të vitit 2019, për të cilat është ngritur një padi nga kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi e cila ka qenë njëkohësisht edhe kryetare e Shoqatave të Bashkive duke depozituar kërkesën në emër të këtij organi.
Ndërsa me shumë mundësi, nuk do të ketë një vendim të marrë ditën e sotme, pasi gjykimi i çështjes mendohet të zgjasë duke qenë se palët kanë parashtruar kërkesat e tyre të cilat mbetet për t’u parë nëse do të merren parasysh nga Gjykata Kushtetuese.