“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se mbrojtësi ka biseduar së fundmi me drejtuesit bardheblu. 26-vjeçari nuk ka firmosur kontratë të re me verilindorët dhe është tashmë lojtar i lirë.
Ai ka pasur një klauzolë që i rinovohej automatikisht kontrata, nëse Kukësi fitonte një nga trofetë dhe shkonte në Europë. Asnjë nga këta dy objektiva nuk u arrit dhe Demiri po kërkon skuadër tjetër.
Luan pikërisht në krahun e majtë ku aktivizohet edhe Ismajlgeci. Veç pozicionit si mbrojtës i majtë, Demiri luan edhe në mesfushë. Tirana ia ka bërë të qartë ofertën dhe është në pritje të lojtarit.
Lojtari e ka lënë pezull Tiranën, pasi ka një mundësi më të mirë në Sllovaki, por gjithsesi, Demiri mbetet pistë e hapur. Ish-futbollisti i kombëtares shqiptare ka luajtur me Kukësin, për shumë vite në kampionatin maqedonas, por edhe në Ukrainë dhe në Sllovaki.
Ai ka qenë gjithashtu pjesë e ekipeve kombëtare të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Emri i tij bëri bujë vite më parë, pasi vendosi të largohej nga kombëtarja e Maqedonisë për të zgjedhur Shqipërinë.