Esat Mala është largimi i radhës nga Partizani. Mesfushori është shitur te klubi i Giresunsporit në elitën e futbollit turk. “Panorama Sport” mëson se klubi i kuq ka përfituar 100 mijë euro nga ky transferim, ndërsa ka ruajtur 10% të kartonit të lojtarit. Mala ishte pa kontratë dhe ishte lojtar i lirë, por këto 100 mijë euro u paguan për taksën e formimit.
Klubi turk i Girensunsporit u rendit në vendin e dytë sezonin e shkuar në Kategorinë e Parë turke dhe këtë sezon të ri do të jetë pjesë e elitës. Duke parë dhe ngjitjen një nivel më lart, drejtuesit turq kanë filluar punën për ta përforcuar skuadrën dhe një nga përforcimet e tyre, është pikërisht Esat Mala.
KONTRATA – Njëjtë si Eneo Bitri, që tek Astana në Kazakistan do të përfitojë 12 mijë euro në muaj, edhe Esat Mala ka siguruar kontratën e jetës. Mesfushori nga Prizreni do të përfitojë plot 15 mijë euro në muaj nga kontrata me klubin turk. Duke parë kushtet e kontratës së tij në Turqi, si dhe faktin që klubi i Giresunsporit i pagoi Partizanit 100 mijë euro, kjo marrëveshje ishte fitimprurëse për të dyja palët dhe akordi u arrit. Esat Mala nuk ka qenë ditën e djeshme pjesë e grupit të Partizanit që vazhdon të kryejë përgatitjet në Ohër të Maqedonisë.
STATISTIKAT – Te skuadra e Partizanit Esat Mala ka qenë një ndër më të mirët në tri sezone e gjysmë që ka qenë pjesë e klubit. Që kur iu bashkua “demave të kuq” në janar të 2018-ës, Mala tregoi një formë shumë të mirë dhe ishte një titullar thuajse gjatë gjithë aventurës së tij të kuqe.
Plot 114 ndeshje luajti Mala me fanellën e Partizanit, duke shënuar 10 gola dhe duke asistuar 11 të tjerë. Edhe pse një lojtar shumë luftarak, Mala është ndëshkuar vetëm 10 herë me karton të verdhë, ndërsa kartonin e kuq nuk e njeh aspak. Një lojtar tepër polivalent, që përveçse në mesfushë dhe në sulm, ka mbuluar shpeshherë dhe krahun e djathtë të mbrojtjes, duke sakrifikuar shumë për fanellën e Partizanit.
KOINCIDENCA – Tek ekipi i Giresunsporit ka luajtur më parë sulmuesi i njohur Vedat Muriqi. Por, koincidenca nuk mbaron këtu, pasi si Muriqi, ashtu dhe Esat Mala, janë nga Prizreni i Kosovës.
Aventura e Muriqit dihet, pasi nga Giresunspor luajti më pas me ekipe të mëdha si Fenerbaçe dhe Lacio. Ndoshta dhe për Malën do të jetë një trampolinë për të ardhmen, pasi vetëm në moshën 22-vjeçare, ka mundësinë të shkëlqejë në elitën e futbollit turk dhe pse jo të luajë edhe në ekipe më të mëdha.
Skuadra turke e ka vlerën në “Transfermarkt” plot 10 milionë euro dhe Mala ka shkuar në një ekip ku do të ketë shokë skuadre lojtarë kalibri, si dhe një konkurrencë të madhe për të luajtur si titullar