Kandidati demokrat për president, Joe Biden foli të premten me besim në fitore, ndërkohë që vazhdon numërimi i votave në shtetet ku ende nuk është shpallur rezultati. Megjithëse kryeson me numrin e votakve elektorale, zoti Biden nuk deklaroi mbrëmë fitore, ndërkohë që ekipi zgjedhor i Presidentit Trump vazhdon të paraqesë sfida ligjore në këto shtete ku vazhdon numërimi i votave.
Aktualisht në kryesim në Pensilvani dhe Xhorxhia dhe gradualisht duke iu afruar numrit të nevojshëm prej 270 votash elektorale që nevojiten për të fituar presidencën, kandidati demokrat, Joe Biden tingëllonte plot vetëbesim se do të sigurojë fitoren.
Ai foli për nevojën për të bashkuar vendin.
“Synimi i politikës sonë nuk është luftë e përgjithshme, e pandalshme. Jo, qëllimi i politikës sonë është të punojmë për vendin, jo t’u fryjmë flakëve të konfliktit, por të zgjidhim problemet. Të garantojmë drejtësi për të gjithë dhe t’u japim të gjithëve një shans të drejtë, për të përmirësuar jetët”, tha Biden.
Të dyja fushatat kanë përfaqësues në qendrat për numërimin e votave për të vëzhguar procesin. Me një diferencë shumë të ngushtë, zoti Biden kryeson në Uiskonsin dhe Xhorxhia. Kjo nënkupton se do të nevojitet rinumërim, por bazuar në përvojën e mëparshme, ky proces rrallë herë e përmbys rezultatin.
Përkrahësit e presidentit kanë kërkuar rinumërim edhe në Miçigan, ndërkohë që fushata e zotit Trump kishte ngritur aktpadi në disa shtete të padeklaruara, përfshirë Pensilvaninë, lidhur me numërimin e votave që arritën pas ditës së zgjedhjeve.