“Mu shkatërrua familja, më plasi shpirti dhe zemra, 4 varre për vajzën, mbesat dhe dhëndërrin, të vendoset drejtësi”. Këto janë fjalët që mbajnë peshën e dhimbjes të Fatbardhës, nënës së Silvana Gushit e cila sëbashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët e mitur, humbi jetën tragjikisht në aksidentin e pak ditëve më parë në autostradën Fier-Vlorë.
Mes lotëve dhe dhimbjeve, Fatbardha i bën apel shtetit shqiptar që të vendosë drejtësi për fëmijët e saj. Në emisionin me “Zemër të hapur” në News24, tregon vështirësitë se si ka rritur fëmijët e saj, dhe se i ka dërguar në Greqi me sakrifica.
Fatbardha Gushi thotë se që prej aksidentit, nuk ka pasur asnjë kontakt me familjarët e Igli Madanit, 22-vjeçari që shkaktoi aksidentin fatal.
“Nuk ka ngushëllim për nënën. Çfarë më ka bërë i ligu. Më mbylli derën e vajzës. Çfarë po bëhet me këtë popull, i vrau i ligu, ai që ka paranë. Vajza vajti në Greqi për tu ushqyer. Erdhi tek nëna për të kaluar pushimet. I gatova mirë. Ikën në moshën e rinisë. Dhëndrrin e kisha si djalë. Ku është shteti, prokuroria, policia. Nuk kam lekë, ai që e ka bërë këtë do jetë biznesmen. Nuk kam lekë për bukë. I kam paketuar ushqime dhe i kam dërguar në Greqi. Këtë që kam përjetuar unë mos ta përjetojë asnjë nënë në botë. Edhe ata që kanë rritur atë rrugaç të vinin dhe të më thonin një fjalë tek dera. Ka 4 ditë që ka ndodhur dhe nuk kanë ardhur në shtëpi asnjë nga prindërit e djalit. Të paktën të më kishin ngushëlluar. Të reagojë shteti, prokurori doktori i cili mori lekë dhe manipuloi provat. Unë s’kisha lekë, ai të marrë dënimin e merituar, unë nuk marrë kurrë hakmarrje. Shteti të marrë masa. Mu shkatërrua jeta” – tha nëna e Silvanës.
Nëna e Silvanës bën një apel për të gjitha gratë dhe nënat shqiptare që të dalin në protestë dhe të kërkojnë drejtësi për fëmijët dhe mbesat e saj.
“Më plasi zemra. 4 varre. I lutem shtetit të bëjë çmos. Jeni nëna vetëm ngrihuni për vajzën time. Ngrihuni në protestë. U lutem shumë më bëni diçka se nuk më shërohet plaga. Ngrihuni në protesta se dhe unë do bërtas për ju. Më mbështesni për vajzat, mbesat dhe dhëndërrit. Mezi i kemi rritur. O ju nëna që keni vajza e djem e mbesa. U bëj thirrje më ndihmoni. Dua vetëm drejtësi, nuk dua asgjë tjetër. Edhe nëna e babai i atij djali paskan qenë të pashpirt. Paskan qenë pashpirt. Unë nuk kam para, kam shpirtin e pastër” – tha Fatbardha.