Midis katër viktimave nga përplasja me armë zjarri ishte edhe 20-vjeçari Musaen Zeneli, i cili sapo kishte filluar punë pranë hotelit të vëllezërve Gocaj, të cilët mbetën të vrarë me armë zjarri.
Të afërmit e tij japin dëshmi rrëqethëse për të riun i rritur jetim, pasi babai iu mbyt në ujërat e lumit Buna më shumë se një dekadë më parë. Fejzi Zeneli, i afërm i Musaenit, tha se e ëma e tij e ka marrë vesh lajmin, ndërsa punonte si rrobalarëse në morgun e Spitalit të Shkodrës.
Sipas tij, ajo e ka kuptuar vdekjen e të birit kur ka parë peshqirin të gjakosur, duke e kuptuar që ishte i djalit të tij. Ai shton se edhe të afërmit e tjerë nuk e kishin kuptuar se i riu ishte vrarë për shkak të ngatërrimit të emrit në media.
“Musaeni ka qenë djalë i dashur, pavarësisht se ka qenë i sëmurë. Kanë qenë të varfër. I ati e ka lënë shumë të vogël. Nëna e tij ka pasur vetëm rrogën e saj rrobalarëse në spital. Ajo rrogë ka mbajtur tre vetë kaq sa vite. Edhe unë kam qenë jetim vetë. Dhe u kemi dhënë një pension të vogël prej 50 mijë lekësh. Ka punuar diku kamerier, diku duke shkarkuar diçka. Këtë verë vendosi të punojë në Velipojë. Ka edhe një vëlla që punonte në Koplik si mekanik. Gjendja e nënës së Musaenit është e vështirë. Shtëpia është në gjendje jo të mirë. Ata njerëz kanë nevojë për ndihmë. Nëna e tij nuk e ka ditë se i është vrarë i biri. Kur ka qenë duke larë teshat e morgut, ka parë peshqirin e djalit të vet. Ka thënë ky peshqir është i imi. Deri në orën 01:00 e ca nuk e ka ditur. Askush nuk e ka njoftuar. në Velipojë e kanë ndryshuar emrin e tij dhe nuk e ka kuptuar. Ka qenë shok për të. Djali e ka emrin Musain, emrin e gjyshit të vet Musa. As ne nuk kemi ditur gjë. Kemi dëgjuar vetëm mbiemrin Zeneli, por ka shumë me këtë mbiemër”, tha Fejzi Zeneli, për “Top Channel”.
Ai tha se nuk i njihnin familjet e përfshirë në konfliktin me armë. “Ne nuk i njohim hiç familjet e përfshira në konflikt. Djalin nuk e di se kush e ka marrë në punë”, shtoi ai. Ndërkohë, një tjetër e afërme jep gjithashtu dëshmi të gjendjes së vështirë të familjes Zeneli. Fadjola Rudaj thotë se të premten e shkuar, i riu kishte festuar mbrëmjen e maturës dhe të shtunën kishte nisur punën, duke shënuar ditën e parë dhe të fundit. “Sinqerisht, edhe para tri ditë para se të vazhdonte punën në Velipojë, më tha ‘teze dua të vë disa lekë dhe dua të iki që të vazhdoj jetën time. Dua të bëhem kuzhinier më tha’”, thekson ajo, duke shtuar se pranë hotelit kishte filluar punë si ndihmëskuzhinier, për të cilën edhe kishte kryer arsimin e mesëm.
“Të premten ka pas mbrëmjen e maturës dhe të shtunën ka ikur atje. Një ditë ka pas. Dita e parë dhe e fundit. Çdo lekë ia jepte nënës së vet. Para një muaji kishte mbledhur lekët dhe më tha se donte të paguante dritat. Më 2009, kur i ka vdekur bashkëshorti kur është mbytur e deri më sot, ka rritur dy jetimë në gjendjen ku është kjo grua, nuk e di ku ka qenë deri tash shteti, ose njerëzit ku i kanë pasur sytë. Sinqerisht! Kam pasur një rast që e kam pyetur Musaenin për atletet e shqyera. I thashë nuk ke të tjera? Më tha ‘jo, më pëlqejnë këto’. Ato atlete i kam te shtëpia ime”, përfundon ajo.