SHBA- Joe Biden është zgjedhur President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Biden ka mbajtur fjalimin e parë presdiencial. Presidenti i 46-të i SHBA-së në fjalën e tij është betuar se gjatë katër viteve të ardhshme do të jetë president i cili do të rikthejë ‘shpirtin’ e Amerikës.
“Njerëzit e këtij vendi folën. Ata na dhanë një fitore të qartë, një fitore bindëse. Zotohem të jem një president që nuk kërkon të ndajë, por të bashkojë. Unë e kërkova këtë post për të rikthyer shpirtin e Amerikës dhe për ta bërë Amerikën të respektuar përsëri në botë” tha Biden përpara mbështetësve të mbledhur në një parking dhe që brohorisnin.
Pa përmendur drejtpërdrejt rivalin e tij republikan Donald Trump, Biden iu drejtua 70 milion amerikanëve të cilët votuan në mbështetje të Presidentit Trump, disa prej të cilëve dolën në rrugë të shtunën për të demonstruar kundër rezultateve:
“Të gjithë atyre që votuan për Presidentin Trump, unë e kuptoj zhgënjimin sonte. Unë vetë kam humbur disa herë. Por tani, le t’i japim njëri-tjetrit një shans. Tani, le t’i japim njëri-tjetrit një shans. Është koha të heqim dorë nga retorika e ashpër, të ulim temperaturën, të shikojmë dhe dëgjojmë njëri-tjetrin përsëri. Kjo është koha e shërimit në Amerikë,” tha ai.
Biden tha se populli amerikan dëshiron që demokratët dhe republikanët të bashkëpunojnë, dëshiron që “demonizimi në Amerikë” të fillojë të marrë fund.