“Aleksandar Sofranak është firma e radhës për Dinamon. Qendërmbrojtësi malazez, me një karrierë në disa kampionate si Mal i Zi, Serbi, Bosnjë, Kroaci dhe Belgjikë, si dhe pjesë e kombëtares, ka nënshkruar sot (dje). Mirë se vjen Aleksandar! Xhuliano Skuka është firma e tretë. Futboll klub Dinamo ka arritur marrëveshjen me KF Korabin për transferimin e sulmuesit 22-vjeçar në kryeqytet. Skuka ka spikatur me ishskuadrën e tij, Korabin, dhe është gati për një aventurë të re në Kategorinë Superiore”, citohej dje në njoftimin e klubit kryeqytetas.
30-vjeçari Sofranak është një lojtar i afirmuar dhe me shumë eksperiencë, pasi përveç OFK Titogradit dhe Sutjeskës së Nikshiqit në Malin e Zi, ka luajtur edhe në kampionate si ai serb, kroat, belg dhe boshnjak. Me kombëtaren numëron 11 ndeshje deri më tani, ndërsa për herë të fundit me fanellën e kombit të tij ka qenë 90 minuta në fushë në ndeshjen e 14 nëntorit 2020, Azerbajxhan-Mal i Zi 0- 0.
Sofranak mbylli sezonin te Sutjeska, duke qenë një titullar i padiskutueshëm, ndërsa vetëm pak ditë më parë prishi kontratën me klubin që merr pjesë në Ligën e Konferencës. Siç ka paralajmëruar gazeta, agjenti i lojtarit 30- vjeçar dhe drejtuesit e Dinamos arritën akordin për një kontratë 2-vjeçare, nga e cila Sofranak mësohet se do të marrë një pagë prej 4500 eurosh në muaj. Afrimi i tij do të përforcojë mbrojtjen blu, teksa ka luajtur edhe në klube si Rijeka në Kroaci, Cercle Bryzh në Belgjikë apo Sarajevo në Bosnjë.
Nga ana tjetër, Skuka vjen pas shkëlqimit me Korabin dhe blutë kanë gjetur marrëveshjen me sulmuesin për një pagë prej 4 mijë eurosh në muaj dhe një kontratë 3-vjeçare. Klubi nga Peshkopia do të mbajë 10% të kartonit, duke përfituar në rast rishitjeje nga Dinamoja, raporton Panorama Sport.
Në ditët e ardhshme pritet që klubi blu të prezantojë edhe goditjet e tjera në merkato, si Dorian Kërçiku, Marin Abazaj, Enis Gavazaj, Romeo Harizaj, Rimal Haxhiu dhe Stefen Çinedu. Dinamo pret pas përfundimit të angazhimit me Vllazninë edhe mbrojtësin Eni Imami, i cili ka rënë dakord për një kontratë 3-vjeçare.