Detaje të tjera janë zbuluar nga vrasja e 4 personave në Velipojë pas sherrit që nisi për shezlonget. Një prej të arrestuarve për këtë ngjarje, Hasan Ferracaku ka dhënë një dëshmi në polici ku ka sqaruar sipas tij se si kishte ndodhur ngjarja.
Në dëshminë e siguruar nga korrenspondenti i Panorama.al Senad Nikshiqi, Ferracaku mësohet të ketë thënë se sherri mes familjes së tij dhe Gocaj ka filluar disa ditë pas ngjarjes tragjike.
Ai ka deklaruar se kanë pasur konflikt me djemtë e Pjetër Gocajt për çadrat dhe shezlonget e vendosura në plazh. Sipas tij, ai sëbashku me Kujtim Ferracakun kanë shkuar tek lokali i Gocajve për të sqaruar ngjarjen.
Pasi janë ulur në tavolinë, njëri prej djemve të Pjetër Gocajt ka qëlluar me automatic drejt Kujtim Ferracakut, i cili në atë momente është kundërpërgjigjur me pistoletë. Më pas, Hasan Ferracaku thotë se janë larguar nga ngjarja.
“Prej disa ditësh kemi patur konflikt me djemtë e Pjetër Gocaj për punë çadrash në plazhin e Velipojës. Kemi marrë me qera ose leje për shfrytëzim të shezlloneve në Velipojë dhe tek ky vend kanë ndërhyrë djemtë e Pjetrit dhe për këtë jemi konfliktuar. Kemi shkuar tek lokali i djemve të Pjetrit për t’u sqaruar dhe është ulur në tavolinë njëri prej djemve të Pjetrit dhe pasi kemi biseduar ka krisur arma e zjarrit ku vëllai i tij ka qëlluar me automatik drejt Kujtimit dhe e ka vrarë atë. Kur ka qëlluar ai, Kujtimi përpara se të vritej i është kundërpërgjigjur me pistoletë dhe i është hedhur duke i kapur armën djalit të Pjetrit dhe më pas jemi larguar dhe nuk e di çfarë ka ndodhur” – ka dëshmuar Ferracaku në polici.