Ndryshimi i Kodit Zgjedhor përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit 2021, solli edhe ndryshime në nenin për afishiminin e materialeve propagandistike për subjektet zgjedhore. Kodi Zgjedhor (neni 79) ua la detyrim kryetarëve të bashkive që të përcaktonin në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, vendet publike në territorin e bashkisë përkatëse për afishimin prej partive politike dhe subjekteve zgjedhore të materialeve propagandistike.
Për të parë sesa do zbatohej neni 79 i Kodit Zgjedhor, Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore vendosi të monitoronte disa bashki sesi do ta zbatonin këtë rregullim.
Si fillim, ne i dërguam Bashkisë së Tiranës, dhe Bashkisë së Kurbinit një kërkesë për informacion, në lidhje me vendet që këto bashki kishin përcaktuar në territorin e tyre për afishimin e materialeve propagandistike për subjektet zgjedhore që ishin regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Pas shumë vonesash të dy bashkitë na sollën përgjigje për vendet që kishin përcaktuar për subjektet zgjedhoret.
Në përgjigjen e Bashkisë së Tiranës, e cila na vuri në dispozicion urdhrin e kryetarit të bashkisë, “Për caktimin vendeve publike për afishimin e materialeve propagandistike e edukuese dhe rregullat për afishimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore”, nuk është përcaktuar asnjë vend i posaçëm për subjektet zgjedhore që të afishojnë materialet propagandistike.
Bashkia Tiranë është mjaftuar vetëm me urdhrin që “Materialet propagandistike zgjedhore lejohet të afishohen deri në një distancë prej 5 (pesë) metrash nga zyra zgjedhore e partisë politike apo subjektit zgjedhor përkatës jo më parë se 30 (tridhjetë) ditë para datës së zgjedhjeve”, – gjë e cila është rregulluar me Kod Zgjedhor por Bashkia nuk kishte përcaktuar asnjë vend për subjektet zgjedhore sipas detyrimit që i vë ligji.
Në një komunikim të dytë me Bashkinë Tiranë, na u vu në dispozicion një liste me vendet e caktuara nga Njësitë Administrative për afishimin e materialeve propagandistike të subjekteve zgjedhore, në kuadrin e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të datës 25.04.2021.
Në këtë listë, ajo çfarë bie në sy është fakti se Njësitë Administrative kanë përcaktuar vende vetëm për 5 subjekte zgjedhore nga 17 subjekte zgjedhore të regjistruara për zgjedhje. Subjektet zgjedhore për të cilët Njësitë Administrative kanë përcaktuar vende publike për afishimin e materialeve propagandistike janë për Partinë Socialiste (PS), Partinë Demokratike (PD), Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) dhe Partia Social Demokrate (PSD).
Bashkia Tiranë thekson se ka përcaktuar plot 118 vende për afishimin e materialeve propagandistike të subjekteve zgjedhore. Nga këto vende të përcaktuara, hapësirat më të mëdha i kanë Partia Socialiste dhe Partia Demokratike.
Sipas një eksperti të çështjeve zgjedhore ky vendim është joligjor, por edhe në rastet kur konsiderohet si i plotësuar detyrimi për vendosjen e materialeve propagandistike duhet të jenë deri në 5 metra larg zyrave zgjedhore të subjekteve.
“Është e pakuptueshme dhe jo ligjore të caktohen vende afishimi vetëm për 5 subjekte elektorale apo rastet kur konsiderohet i plotësuar detyrimi nga ana e kryetarëve të bashkive kur vendosin se materialet propagandistike duhet të jenë deri 5 metra larg zyrave zgjedhore subjekteve dhe vetem kaq. Fushata duhet të jetë e barabartë domethënë, ç’kuptim ka të caktosh vende vetëm për 5 subjekte zgjedhore. Nga ana tjetër, secili subjekt duhet ta ketë këtë mundësi propagande, domethënë shumë vende, për shembull sipërfaqe publike të dukshme duhet të ndahen në mënyrë të barabartë dhe çdo subjekti i caktohet vendi i vet për materialin, por jo një subjekt në një rrugë dhe një subjekt në një tjetër.”, shpjegon eksperti.
Ndërsa kandidati për deputet i Nisma Thurje, Pano Soko shprehet se nuk kanë qenë farë në dijeni për këtë çështje.
“Nuk na ka njoftuar Bashkia Tiranë dhe as kemi pasur dijeni fare, ne s’dinim gjë që mund të kishte vende të tjera të posaçme, pra s’kishim informacion”, shprehet Soko.
Edhe pse Bashkia e Tiranës ka caktuar këto vende, subjekti zgjedhor PS ka vendosur materiale propagandistike në një rrugë që nuk ishte e përcaktuar. Në rrugën “Ibrahim Rugova” në një bar janë vendosur materiale propagandistike të kandidatit për deputetit të PS-së me numër 30, Ornaldo Rakipi, gjë e cila është në shkelje të Kodit Zgjedhor.
Ndërsa në rrugën “Dritan Hoxha” përballë më pallatin e sportit “Asllan Rusi”, subjekti zgjedhor PSD ka vendosur materiale propagandistike të kandidatit për deputet numër 1, Tom Doshi, ndërsa sipas listës së vënë në dispozicion nga Bashkia Tiranë, nuk ishte përcaktuar një vend i tillë për këtë subjekt. Edhe ky është rast tjetër i shkeljeve të përsëritura nga partitë dhe kandidatët në lidhje me vendosjen e materialeve propagandistike për fushatë.
Ndërsa gjatë vëzhgimit vihet re se Bashkia Tiranë nuk ka zbatuar as pikën 7 të udhëzimin nr.6 të KQZ-së “ Për përdorimin e materialeve propagandistike e edukuese dhe rregullat për afishimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore”, ku thuhet se “Vendimi i kryetarit të bashkisë për caktimin e vendeve për afishimin e materialeve propagandistike bëhet publik në faqen e internetit të bashkisë”.
Në faqen zyrtarë të Bashkisë së Tiranës mungon vendimi i kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Përveç se nuk kanë zbatuar udhëzimin e KQZ-së, Bashkia e Tiranës nuk ka zbatuar as urdhrin e kryetarit të Bashkisë Erion Veliajt ku thekson se “Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme për Marrëdhëniet me Publikin dhe Jashtë për për publikimin e këtij urdhri në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës”.
Ndërkohë Bashkia e Kurbinit nuk ka përcaktuar asnjë vend me pretekstin se “Bashkia Kurbin është një ndër bashkitë e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe për pasojë në territorin e Bashkisë Kurbin janë ngritur disa kantiere ndërtimi”.
Nga vëzhgimi rezulton se i vetmi kantier ndërtimi në territorin e Bashkisë së Kurbinit për pjesën e tërmetit ndodhet në qytetin e Laçit, ndërsa në qytetin e Mamurrasit dhe të Milotit nuk ka asnjë kantier ndërtimi për pjesën e tërmetit.
Eksperti e cilëson si një veprim që nuk ka asnjë bazë ligjore.
“Është e kuptueshme që nuk i falet Bashkise Kurbin që nuk ka caktuar vendet per afishim, mosveprimi i saj nuk ka asnjë bazë ligjore”, shprehet eksperti.
Edhe pse nuk kishte përcaktuar asnjë vend për afishimin e materialeve propagandistike, në superstradën Mamurras-Milot në afërsi të mbikalimit të Patokut, subjekti zgjedhor kishte vendosur një reklamë propagandistike të përgjithshme.
Ashtu si edhe Bashkia e Tiranës, edhe Bashkia Kurbin nuk e ka publikuar urdhrin e kryetarit të bashkisë në faqen e internetit.
Përjashtim nuk bën edhe Bashkia e Belshit e cila ka paracaktuar një vend të vetëm në qytetin dhe që është zënë nga subjekti zgjedhor PS. Për këtë rast pati edhe një vendim nga KQZ-ja e cila nuk e quajti si shkelje të Kodit Zgjedhor.
Por eksperti mendon ndryshe, pasi të gjitha partitë duhet të kenë mundësi të barabarta.
“Domethënë kryetari i bashkisë cakton vendin, duket se është i paramenduar si vend dhe kush e zë i pari ta gëzojë. Jo kjo nuk është sipas kodit Zgjedhor. Të gjithë duhet të kenë vend në një vend publik dhe me mundësi të barabartë propaganda. Belshi ka vetëm këtë shtyllë dhe është caktuar vetëm për PS”, shpjegon eksperti.
Në një tjetër bashki ku sipas vëzhgimit të bërë nga ACQJ u shkel Kodi Zgjedhor ishte edhe në Bashkinë e Tepelenës.
Udhëzimi e cilëson që: “Ndalohet afishimi i materialeve propagandistike në: fasadat e godinave të banimit, institucioneve publike apo ambienteve rrethuese pranë e rreth tyre, brenda zonave rekreative, parqeve, në pemët e qytetit dhe në shtyllat e ndriçimit”, ndërsa në faqen kryesore të Kalasë së Ali Pashë Tepelënës, kandidati i Partisë Socialiste, Bledi Çuçi ka vendosur një poster gjigand.
Sakaq nga vëzhgimi në Bashkinë e Kamzës vihet re që edhe pse kanë kaluar dy muaj nga zgjedhjet e 25 prillit, materialet propagandistike nuk janë hequr akoma. I tillë është një poster i kandidatit të PS-së, Halit Valteri i cili është vendosur në faqen e një pallati.
Për këto probleme, eksperti i çështjeve ligjore shpjegon se pse kanë ndodhur këto probleme dhe jep disa rekomandime sesi duhet të zbatohet në mënyrë të rregullt Kodi Zgjedhor.
“Perceptimi im është se kryetarët e bashkive kanë vazhduar për inerci veprimet që kanë bërë në fushatat e mëparshme dhe nuk e kanë kuptuar bazën e re ligjore për afishimin e materialeve propagandistike dhe kjo të çon ne dy konkluzione: Ose duhet të shihet baza ligjore që të jetë më e drejtpërdrejtë ose duhet që aktet të miratohen në kohë dhe të sigurohet udhëzim/trajnim edhe për stafet e bashkive për të zbatuar drejt këtë detyrim ligjor”, thotë eksperti.
Një pjesë të fajit eksperti ia lë edhe miratimit me vonesë të akteve nënligjore.
“E vërteta është që aktet ligjore dhe ato nënligjore janë miratuar vonë, domethënë, për shembull dy ditë para afatit të fillimit të fushatës zgjedhore, sikundër shumica e akteve nënligjore te tjera me vonesë, sepse Komisioneri dhe organet e tjera kanë pasur presionin e kohës, dhe mbase zbatimit të tyre i është kushtuar pak rëndësi sepse kanë pasur në axhende shume veprime te tjera më imediate dhe të rëndësishme. Gjithsesi, për zgjedhjet e tjera mendoj se duhet të ketë fushatë trajnimi për stafet e bashkive për zbatimin e këtij detyrimi, duke zbatuar kërkesat e kodit zgjedhor”, e mbyll shpjegimin e tij eksperti.
Shkroi: Klevis Paloka
Marrë nga ACQJ.al