Detaje të reja kanë dalë në dritë nga arrestimi i prokurorit të Kukësit Edmond Karriqi në Kavajë. Mësohet se prokurori është filmuar duke marrë para në tavolinë nga vëllai i një personi nën hetim për trafik droge.
Shuma e parave që dyshohet rreth 2 mijë euro është marrë në Kavajë, në ambientet e një lokali.
Fillimisht kanë qenë disa biseda të familjarëve të hetuar nga prokurori, indicie për nisjen e hetimit dhe pas shtrirjes së përgjimeve dhe vëzhgimeve është provuar rasti i korrupsionit, ku për një masë sigurimi prokurori Edmond Karriqi ka marrë 2 mijë euro.
Prokurorët e SPAK kanë dyshime se ka marrë dhe para të tjera nga ky person, ndërsa prokurori mbahej nën vëzhgim prej kohësh.
Prokurori u arrestua në shëtitoren e Kavajës së bashku me shoferin e tij, ndërkohë që hetuesit kanë bastisur dhe shtëpinë e tij për të ushtruar kontroll.