Gjykata Kushtetuese ka pezulluar ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar duke rrëzuar kështu ligjin special dhe kalimin e Teatrit në pronësi të Bashkisë Tiranë. Në vendimin e saj, pasi Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, Kushtetuesja i dhënë të drejtë Presidentit Ilir Meta dhe ka rrëzuar Ligjin Special për dhënien me koncesion të hapësirës së truallit të Teatrit Kombëtar, si dhe ka shfuqizuar vendimin për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë të ndërtesës së Teatrit Kombëtar.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, ligji për “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar” është i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe cenon parimin e shtetit të së drejtës. Ndërsa kërkesa për moslejimin e shembjes së Teatrit Kombëtar, për fat të keq nuk është pranuar, pasi tashmë ajo godinë nuk ekziston më.
Vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji dhe deri në atë kohë, Bashkia Tiranë nuk mund të kryejë asnjë veprim në truallin e Teatrit Kombëtar, pavarësisht lejes së marrë dhe fondit prej 900 milion eurosh që qeveria i akordoi Bashkisë Tiranë duke i hapur rrugë ngritjes së godinës së re.
Pas publikimit të këtij vendimi kanë ardhur edhe reagimet. I pari që foli ishte kryedemokrati Lulzim Basha, i cili tashmë kërkon dhe reagimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Më pas reagoi dhe regjisori Robert Budina, i cili kërkoi dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe të kryeministrit Edi Rama. Avokatja Adriana Kalaja tha se beteja ligjore nuk mbaron këtu dhe se ajo bashkë me artistët do të bëjnë një kallëzim në SPAK kundrejt Veliajt. Për vendimin e Kushtetueses reagoi edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili u shpreh se Gjykata i dha një mësim të mirë Ramës, Veliajt dhe Fushës.
Vetë kryebashkiaku, bazuar në pikën e vetme që është rrëzuar nga Kushtetuesja, ajo për anulimin e vendimit për shembjen e Teatrit Kombëtar, Veliaj, në një status në rrjetet sociale, shkruan se Kushtetuesja i ka dhënë të drejtë Bashkisë Tiranë, për ngjarjen e 17 majit. Tani, sipas kryebashkiakut, duhet ecur përpara për të ndërtuar shtëpinë më të madhe e moderne të Teatrit në Ballkan.
Teatri Kombëtar u shemb më 17 maj të vitit të kaluar dhe shkaktoi një valë protestash, gjatë të cilave pati edhe përplasje mes protestuesve dhe forcave policore.
Njoftimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike të datave 03.06.2021, 15.06.2021 dhe 16.06.2021 çështjen me kërkues Presidentin e Republikës së Shqipërisë, me objekt:
– Shfuqizimi i ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”” (ligji nr. 37/2018), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.
– Shfuqizimi i vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”(VKM nr. 377/2020), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.
– Shfuqizimi i vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar” (VKB nr. 50/2020), si i papajtueshëm me Kushtetutën.
– Pezullimin e zbatimit të këtyre akteve deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:
– Ligji nr. 37/2018 cenon:
Lirinë e veprimtarisë ekonomike të sanksionuar nga neni 11 i Kushtetutës në raport me nenin 17 të saj;
Parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës në raport me nenin 3 të saj, në drejtim të procesit të vlerësimit të identitetit dhe të trashëgimisë kombëtare nga institucionet përkatëse;
Parimin e decentralizimit dhe të autonomisë vendore të sanksionuar në nenin 13 të Kushtetutës.
– VKM-ja nr. 377/2020 cenon:
Parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës.
Ndërsa për sa i përket VKB-së nr. 50/2020 nuk u formua shumica prej 5 votash e parashikuar nga neni 73, pika 4, i ligjit nr. 8577/2000, në lidhje me juridiksionin e kësaj Gjykate për shqyrtimin e saj. Për këto arsye Gjykata Kushtetuese,
VENDOSI:
- Pranimin pjesërisht të kërkesës;
2. Shfuqizimin e ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar””, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
3. Shfuqizimin e vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
4. Rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin e vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
5. Pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 37/2018 dhe VKM-së nr. 377/2020 deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.