Kreu i Instagram, Adam Mosseri, thotë se “platforma nuk është më një aplikacion për shpërndarjen e fotove”. Në një deklaratë në Instagram, ai tregon se “Instagram tani është më shumë sesa vendi thjesht me foto katrore”.
Sipas tij, arsyeja kryesore pse njerëzit vijnë në Instagram është “të argëtohen” dhe aplikacioni, nuk është i vetmi që e ofron këtë argëtim për momentin.
“Le të jemi të sinqertë, ka një konkurrencë vërtet serioze tani. TikTok është i madh, YouTube është edhe më i madh dhe ka edhe shumë fillestarë të tjerë”, u shpreh ai. Kështu që për të qëndruar në lojë, Instagrami do duhet ta përqafojë këtë aspekt dhe kjo do të thotë ndryshim!”
Pra, si do ndryshojë Instagram?
“Në Instagram ne gjithmonë jemi duke u përpjekur të ndërtojmë karakteristika të reja që ju ndihmojnë të përfitoni sa më shumë nga përvoja juaj. Tani për tani ne jemi përqendruar në katër fusha kryesore: Krijuesit, videot, blerjet dhe mesazhet,” u shpreh Mosseri.
Një nga mënyrat se si platforma do të zhvillohet është duke filluar të shpërndajë më shumë rekomandime, postime të sugjeruara. Një mënyrë tjetër se si gjërat do të ndryshojnë, shpjegon Mosseri, është se Instagram ka në plan të përqafojë videot më gjerësisht dhe do të përqendrohet në përmbajtje me ekran të plotë dhe gjithëpërfshirës. Në thelb, duket se Instagram do të bëhet më shumë si TikTok. Edhe blerjeve do t’u kushtohet rëndësi e veçantë.