Rozana Radi feston sot ditëlindjen dhe veç urimeve që i kanë bërë miqtë dhe njerëzit e dashur, ajo ka ndarë edhe një urim që i ka dedikuar vetes. Një nga ato urimet e ndjera që dikush mund t’ia thotë vetes gjithmonë, por rrallëherë mund ta ndajë me të tjerët.
Rozana ngre një dolli për veten dhe përkrah një fotoje të saj shkruan:
“Rozi sonte dua të ngre një dolli për ty!
Për ty vetja ime që nuk mbete asnjëherë në tokë pas një rrëzimi.
Për ty vetja ime që pate kurajo të rimarrësh në dorë jetën tënde dhe ta drejtosh atë drejt ëndrrave.
Për veten time që shpesh harroj nevojat e mia.
Gëzuar për gruan që kam vendosur të jem!
Për motrën, shoqen, kolegen, të dashurën, artisten që kam zgjedhur të jem.
Gëzuar për gruan që kur dashuron jep gjithçka që ka.
Gëzuar për gruan që humbet mes librave të poezive.
Gëzuar për gruan e brishtë e ndonjëherë të pasigurt, por në të njëjtën kohë të fortë për të mbajtur peshën e botës sime e vetme. Për ty vetja ime, që kur je keq shembesh pa të kuptuar askush. Për ty vetja ime që ke grushtuar murin duke sharë për të gjitha padrejtësitë që të kanë bërë, por më pas ke qeshur sikur gjithçka shkon më së miri.
Vitet që kalojnë, vetja ime, nuk më trembin aspak. Besoj që këto vite janë fletë të bardha në të cilat do shkruaj historinë time, zgjedh unë se si do të jetë finalja.
Gëzuar për gruan që jam sot me të mirat dhe defektet e mia. Gëzuar vetja ime që në fund të fundit ia ke dalë mbanë të kesh një familje të mrekullueshme dhe një shoqëri që do ta kishte zili çdo njeri. Gëzuar vetja ime që dhe pse nuk u mbajte dot dorën prindërve, Zoti t’i la t’i mbash përherë në zemër. Gëzuar vetja ime që ke një motër, e cila do merrte rrugën në këmbë nga fundi i botës për ty. Gëzuar vetja ime që ndan jetën prej një dekade me një njeri i cili ua di vlerën përqafimeve.
Gëzuar datëlindjen Roz, që çdo vit beson se ky do jetë vit më i mirë se ai që shkoi!”