Një shqiptar dhe një xhamajkan janë shpallur fajtorë nga një gjykatë në Mbretërinë e Bashkuar për shkak se akuzohen për vrasje.
Bëhet fjalë për Besnik Berishën dhe Kaziku Tuisana të cilët më 19 dhjetor 2019 në një rrugë në Londrën veriore vranë Arber Fesko, 30-vjeç dhe Shkëlqim Paja, 36-vjeç.
Sipas asaj që raportohet nga policia britanike, Shkëlqim Paja dhe Besnik Berisha ishin njohur me njëri-tjetrin rreth 3 vjet para vrasjes. Vitin e fundit marrëdhëniet mes tyre ishin bërë agresive për shkak të një borxhi prej 15 mijë paundësh që Berisha i detyrohej Shkëlqimit.
Më 19 dhjetor 2019, Berisha e kontaktoi përsëri duke thënë se ai ishte i gatshëm të paguante paratë e detyruara plotësisht. Atë mbrëmje, Shkëlqimi shkoi afër vendit ku jetonte, në shoqërinë e mikut të familjes Arbër Fesko.
Aty ka nisur një përleshje dhe dëshmitarët lajmëruan policinë. Forcat e rendit gjetën gjurmë gjaku dhe 2 celularë, por jo persona të plagosur. U gjet edhe një thikë dhe doreza.
Trupi i Shkëlqim Pajës u gjet të nesërmen, i hedhur në një gardh. Ai ishte goditur disa herë me thikë. U gjet edhe Arbër Fesko. Policia ndaloi pranë vendit të ngjarjes një furgon që i përkiste Besnik Berishës ku u konfirmuan gjurmë gjaku që rezuktuan të ishin të viktimave.
Berisha u arrestua në 23 dhjetor 2019, por pretendoi se ai e kishte shitur furgonin e tij një ditë para vrasjeve. Gjatë marrjes në pyetje dy të pandehurit kanë refuzuar të thonë pse e kryen vrasjen.