“Euro 2020” ka hyrë në histori jo vetëm sepse ishte një kampionat shëtitës, por gjithashtu do të mbahet mend edhe si edicioni më i pasur sportiv deri tani. UEFA ka akorduar në total një shpërblim për skuadrat pjesëmarrëse që prek shifrën e 331 milionë eurove, 30 milionë euro më shumë se në vitin 2016. Kjo ndodh në një kohë kur e gjithë bota ende vuan pasojat e pandemisë Covid-19.
Italia, skuadra kampione e Evropës, kuptohet që do të ketë edhe përfitimin më të lartë monetar, me mbi 28 milionë euro, por edhe klubet që u kanë dhënë lejë lojtarëve të tyre t’u bashkohen kombëtareve respektive do të kenë fitime jo të vogla. Në total, kjo shumë kap vlerën 130 milionë euro.
Nga skuadrat e eliminuara në “Euro 2020”, Belgjika përfiton 16.25 milionë euro, Zvicra e Çekia nga 14.75 milionë dhe Ukraina 14.25 milionë. Gjermania dhe Portugalia përfitojnë 12.25 milionë euro dhe po kaq edhe Kroacia e Uellsi, ndërsa Franca përfiton 12.75 milionë euro, si Suedia dhe Austria. Holanda është pak më para me 13.75 milionë euro. Danimarka përfiton 18.25 milionë euro, 1 milion më pak se gjysmëfinalistja tjetër, Spanja, me 19.25 milionë euro.
Ndërkohë, edhe klubet sigurojnë përfitime në bazë të numrit të ditëve të qëndrimit në Evropian të lojtarëve të tyre dhe në këtë pikë, skuadrat që përfitojnë më shumë janë Manchester City e Chelsea, që janë klubet me numrin më të lartë të të grumbulluarve, ndërsa tek Italia spikatin Juventusi, Atalanta dhe Interi.