Skuadra kombëtare e Anglisë rrezikon që në ndeshjet e ardhshme të luajë në stadiume bosh, për shkak të skenave kaotike dhe të dhunshme në sadiumin Wembley në finalen e Euro 2020.
Shoqata e Futbollit (FA) në Angli do të përballet me një hetim nga Komisioni i Etikës dhe Disiplinës së Uefa-s. Uefa u shpreh se hetimi do të përfshijë të gjitha ngjarjet që ndodhën brenda dhe rreth stadiumit ku me qindra njerëz pa bileta thyen barrierat dhe portat e stadiumit dhe arritën të futeshin brenda. Uefa akuzon FA për sjelljen e tifozëve gjatë ndeshjes me Italinë, duke përfshirë hyrje të tifozëve në fushë, hedhje të sendeve, mosrespektim të himnit të Italisë (gjatë këtij momenti, tifozët anglezë bënin tingullin “uuu”), ndezje të fishekzjarreve dhe komente raciste. Pas përfundimit të ndeshjes – ku skuadra italiane u shpall fituese – u publikuan video ku dhunoheshin tifozët italianë.
Guardian raporton se FA u gjobit me £25,630 pas problemeve të ngjashme me turmën në gjysmëfinalen kundër Danimarkës. Gjatë ndeshjes, dikush drejtori një dritë-lazer në sytë e portierit të Danimarkës, nuk u respektua himni dhe u ndezën fishekzjarre.
Nëse Anglia detyrohet të luajë në tribuna të zbrazëta, pas ngjarjeve të finales me Italinë, kjo do të vlejë për të gjitha ndeshjet nën juridiksionin e Uefa-s dhe Shoqata e Futbollit do të përballet me një gjobë shumë të madhe nëse hetimi e shpall fajtore.