Kukësi do t’i japë fund pritjes, pasi sot pritet që të zyrtarizohet trajneri italian, Diego Longo, i cili do të ketë takimin përfundimtar në Shqipëri për të marrë më në fund edhe “timonin” e pankinës verilindore.
“Panorama Sport” e pati paralajmëruar më parë arritjen e një marrëveshjeje paraprake, por më në fund ka marrë edhe një konfirmim nga zyrtarët verilindorë, të cilët shpresojnë që të rikthejnë titullin kampion në klub, por si fillim synohet rikthimi i skuadrës në qytetin e Kukësit, që përkon edhe me mbylljen e punimeve të rikonstruksionit të stadiumit “Zeqir Ymeri”.
Mirëpo, nëse trajneri ka një peshë të rëndësishme në skuadër, pa një merkato dhe lojtarë cilësorë, e ka të pamundur të implementojë idetë e tij në një ekip.
Ky është edhe rasti i Diego Longos, pasi do të gjejë te Kukësi një skuadër gati të kompletuar, për shkak se merkatoja thuajse është e bërë, me përjashtim të ndonjë lëvizjeje të fundit që ka mbetur.
Megjithatë, mësohet se mundësinë për të bërë merkato me dy apo tre elementë të tjerë do ta ketë edhe vetë Longo, për të lënë edhe ai “shenjën” e tij në grupin që do të stërvisë.
Gjithsesi, më shumë do të mësohet kur vetë italiani ë mbërrijë sot në vendin tonë dhe të mbyllë përfundimisht marrëveshjen.