“Nuk mund të mëkatojmë me gjakun e pacientëve dhe lotët e familjarëve”, Rama: Lufta kundër korrupsionit fillon brenda institucioneve.
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar luftë kundër korrupsionit brenda sistemit të shëndetësisë. Ai tha se vetëm nëpërmjet këtij mjeti mund të rriten të ardhurat dhe besimi i qytetarëve tek sistemi.
Kreu i qeverisë shprehet se nuk mund të mëkatohet me djersën e qytetarëve dhe gjakun e pacientëve.
“Nuk mund të mëkatohet me gjakun e pacientëve, lotët e familjarëve, nuk mund të mëkatohet me djersën e qytetarëve brenda sistemit të përgjithshëm shtetëror. Këto janë mëkate që shkojnë përtej personales dhe përfshijnë në mënyrë të rrezikshme, dhe shpeshherë kancer vdekjeprurës kolektive” – tha kryeministri.
Sipas Ramës, synimi i qeverisë është kthimi i sistemit shëndetësor në Shqipëri në një pikë referimi në rajon.
“Kjo është arsyeja që edhe në spitale, ne kemi filluar të vendosim dhe do shtrijmë deri në fund rrjetin e individëve që do jenë aty vetëm për këtë punë. Për të ndarë e të njomit nga i thati. Nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit nëse nuk bëhet brenda shtetit. Pra brenda të gjithë institucioneve të pushtetit ekzekutiv, ku menaxhohen fondet publike, dhe ku njerëzit marrin shërbim. Nuk mund të ketë luftë kundër së keqes nëse është e ndarë mes pushtetit ekzekutiv që qëndron në një barrikadë dhe atyre që janë jashtë këtij sistemi, qoftë në rradhët e krimit. Lufta duhet zhvilluar brenda në radhë të parë. Vetëm kështu do të rriten të ardhurat, besimi, solidariteti, dinjiteti dhe respekti dhe do vendosen në vendin që meritojnë në sytë e gjithë opinionit publik, ata që bëjnë detyrën. Vetëm kështu Shqipëria do ngjitet në majën që prej vitesh është penguar dhe shteti do të bëhet aleati dhe bashkëudhëtari i domosdoshëm dhe besnik i qytetarëve.
Në të kundërt, është e vështirë. Natyrisht dhe kjo është e vështirë por jo e pamundur. Këto që po ndodhin për fat të mirë, janë shenjat e ndryshimit që sa vijnë dhe do thellohen. Nuk mund të mëkatohet me gjakun e pacientëve, lotët e familjarëve, nuk mund të mëkatohet me djersën e qytetarëve brenda sistemit të përgjithshëm shtetëror. Këto janë mëkate që shkojnë përtej personales dhe përfshijnë në mënyrë të rrezikshme, dhe shpeshherë kancer vdekjeprurës kolektive. Unë besoj që ne jo vetëm jemi në rrugën e duhur, por në këtë rrugë ku po ecën gjithë përpjekja për ta çuar shëndetësinë në një nivel tjetër synojmë që shëndetësia në Shqipëri të bëhet pikë referimi për të gjithë rajonin. Kemi një trupë infermierësh që realisht meriton respekt dhe të dy këta komponentë nuk mund t’i poshtërojë një segment brenda tyre që shkon në drejtim të kundërt me drejtimin e historisë. Mund ta bëjmë këtë sepse kemi një vizion shumë të qartë dhe kemi një lidership që nuk e kemi pasur kurrë në krye të sistemit shëndetësor. Lidershipin e ministres, drejtuesen shumë të apasionuar dhe ambicioz në shumë pika të sistemit. Kemi një boshllëk në vazhdim për të plotësuar gjithë këto pika pasi jo në çdo pikë kemi njerëzit e duhur” – tha Rama.
Përveç “luftës” brenda sistemit shëndetësor, Rama paralajmëron ndërhyrje dhe në universitetin e mjekësisë. Ai e cilësoi universitetin e mjekësisë me bazë të fortë pedagogjike dhe menaxheriale teksa u shpreh se universitetet e tjera kanë bazë të dobët.
“Ta fuqizojmë maksimalisht kapacitetin e sistemit duke mos i lënë trupave në sistem të gjithë barrën për tu marrë me të gjitha dhe shumë përtej misionit dhe kapacitetet e tyre. Këtu e kam fjalën për gjithë kapacitetet financiare dhe njerëzore që mund të priten përmes këtyre sinergjive. Po punojmë intensivisht me ministren duke siguruar që gjithë zinxhiri duke filluar që nga furnizimi me barna tek sigurimi i teknologjisë, tek motivimi dhe shpërblimi i mjekëve dhe administrimi i burimeve njerëzore në sistemin tonë shëndetësor të kthehen në një zinxhir virtuoz me përgjegjësi të ndara dhe harmoni mes gjithë hallkave.
Dhe hallkën e edukimit për të cilën po punojmë shumë ngushtë me rektorë dhe trupën pedagogjike në mënyrë që dhe aty të bëjmë një hop të rëndësishëm cilësor me një bazë që është e favorshme në ndryshim nga universitetet e tjera ku baza është e dobët. Korniza është krimi i një hapësire komunikimi dhe transparence mes shërbimit dhe qytetarëve. Edhe për këtë po punojmë me ministren për të krijuar një sistem, nuk duhet të shpikim rrotën. Është një sistem që vendet e tjera të zhvilluara e kanë futur dhe po shohin sukses” – tha Rama.