Pas fitores së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, aktorët kryesorë të politikës shqiptare kanë reaguar sa i takon rezultatit zgjedhor.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta e uroi Biden-in duke theksuar rëndësinë e forcimit të lidhjeve Shqipëri – SHBA.
“Urime Joe Biden dhe Kamala Harris për fitoren e tyre në zgjedhjet SHBA 2020. Shikoni përpara për të punuar me Presidentin e zgjedhur Biden për të forcuar lidhjet e Shqipërisë me të Shteteve të Bashkuara dhe partneritetin tonë strategjik”.
Po kështu reagoi edhe kryeministri Edi Rama:
“Ishte një privilegj e kënaqësi bashkëpunimi me Presidentin Trump e administratën e tij dhe duke uruar Presidentin e zgjedhur të SHBA Joe Biden për fitoren e tij spektakolare, jam i lumtur të vijoj bashkëpunimin për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara”.
Një koment për fitoren e Biden-it erdhi edhe nga PDIU-ja, që e cilësoi zgjedhjen e Biden-it, si një mundësi të shkëlqyer për Shqipërinë.
“Zgjedhjet në SHBA, që vijnë në një kohë të pazakontë të pandemisë e frikës që ka pushtuar planetin, konfirmuan vullnetin e popullit amerikan për një të ardhme të përbashkët, në emër të vlerave të lirisë, demokracisë, bashkëjetesës dhe solidaritetit dhe shënuan sfidën ndaj një të ardhme të pasigurt për botën. Presidenti i SHBA do të jetë gjithmonë një figurë e nderuar dhe e respektuar nga shqiptarët, cilido qoftë, sepse do të jemi përjetësisht mirënjohës për gjithë ndihmën dhe mbështetjen e SHBA-së, për ekzistencën e shtetit shqiptar dhe pavarësinë e Kosovës. Zgjedhja e Joe Biden, i cili është edhe një njohës i mirë i rajonit tonë dhe mbështetës i çështjes shqiptare është një oportunitet i shkëlqyer, që të çojmë përpara bashkëpunimin dhe agjendën e zhvillimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon. Shqiptarët do e shohin gjithmonë SHBA-në, një shembull të funksionimit të sistemit dhe demokracisë dhe në të njëjtin model do ndërtojnë një të ardhme në emër të këtyre vlerave, duke rrëzuar çdo tendencë autokracie që tenton të rrëzojë themelet e demokracisë në vend”.