Nisma e pronarëve të Lungomares për të protestuar me një mënyrë origjinale, duke vënë të gjithë njëkohësisht himmnin e flamurit, në momentet e fillimi të orës policore, ka përfunduar me një incident mes bizneseve të lokaleve dhe policisë së Vlorës. Ka pasur përplasje fizike dhe një grua është shoqëruar forcërisht nga uniformat blu.
Operatorët turistikë përgjatë zonës së Lungomares në Vlorë kishin vendosur që sonte pas orës 22:00, që përkon dhe me orarin për ndalimin e muzikës, të protestonin duke vendosur të gjitjë kolonën zanore të Himnit Kombëtar.
Ata dhe më herët patën paralajmëruar protesta, pasi janë kundër orarit aktual të lejimit të muzikës. Ata kërkojnë zgjatje të saj, pasi sipas tyre, kjo masë ka ndikuar negativisht në mbarëvajtjen e biznesit.
“Ora policore ende në fuqi, na privon nga aktivitetet që ne si biznese (lokale) zhvillojmë; (dasma, gëzime familjare e cermoni të tjera), duke na ushtruar presion të vazhdueshëm dhe nuk na lejojnë të zhvillojmë normalisht aktivitetin tonë ekonomik, brenda orarit të lejuar nga institucionet, çka na vështirëson së tepërmi ekonominë, gjë e cila reflektohet edhe te të ardhurat familjare të çdo drejtuesi biznesi” thuhej në një letër ku Shoqata e Biznesit i kërkonte Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komitetit Teknik të Ekspertëve që të rishikohen masat antiCOVID në vend.
Të hënën ata kanë paralajmëruar protesta për lehtësimin e masave.